Kuriozitete

A ndikon viti zgjedhor në ekonomi? Shifrat/ Kur ka zgjedhje rriten pagat, emigrantët dhe martesat, por më pak turistë

0

“Scan Intel” ka analizuar disa prej indikatorëve kyç makroekonomik, por edhe indikatorë më social, për të kuptuar impaktin që ka një vit zgjedhor në ekonomi dhe shoqëri. Në funksion të kësaj analize, jemi fokusuar te vitet tek, si vite zgjedhore, dhe vitet çift, si vite “normale”, pra vite jo zgjedhore, pa fushatë elektorale dhe pa proces votimi. Në pjesën dërrmuese të rasteve, analiza fillon që prej vitit 2004. Shifrat tregojnë se zgjedhjet kanë ndikim në ekonomi, por jo aq sa mund të sinjalizojë perceptimi i përgjithshëm.

Duke filluar nga indikatori më i rëndësishëm, rritja ekonomike, statistikat publike tregojnë se në një vit tek, pra vit zgjedhor, mesatarisht ekonomia shqiptare është rritur me një normë pranë 3.3%, ndërkohë që në një vit “normal” mesatarisht ndër vite, rritja ekonomike ka qenë pranë 4.1%, çka sinjalizon se zgjedhjet kanë gjasa ta ngadalësojnë zgjerimin e ekonomisë.

Sa i përket një tjetër indikatori me rëndësi, inflacionit, shifrat sugjerojnë se të qënit vit zgjedhor ose jo nuk ka ndikim në rritjen ose jo të çmimeve. Në vitet zgjedhore, norma mesatare e inflacionit në vendin tonë ka qenë pranë 2.3% dhe në vitet “normale” pranë 2.2%.

Lejet e ndërtimit nga ana tjetër janë një aspekt që merr maksimalisht vëmendje kur jemi në fushatë apo prag fushate elektorale. Por, a mbështesin shifrat idenë se në vit zgjedhor dhe në kohë “ethesh” elektorale rriten lejet e ndërtimit të dhëna? Jo, pasi diferenca është thuajse e parëndësishme, mesatarisht me nga 1170 leje ndërtimit të dhëna në vit “normal” dhe 1192 në vit zgjedhor.

Po sa i përkiet emigrimit, si ndikojnë zgjedhjet në largimin e shqiptarëve? Shifrat sugjerojnë se ka ndikim, dhe deri diku të dukshëm. Mesatarisht, në vitet jo-zgjedhore nga Shqipëria janë larguar ndër vite rreth 38 mijë shqiptarë, dhe në vitet zgjedhore rreth 45 mijë. Pra, në vitet teke, ato zgjedhore, ka më shumë shanse që shqiptarët të largohen në emigrim.

Kursi i këmbimit, sidomos ai mes euros dhe lekut ka marrë mjaft vëmendje kohët e fundit për shkak të zhvlerësimit të monedhës së përbashkët europiane kundrejt monedhës sonë vendase, dhe jo pak herë është përmendur fushata elektorakle si shkaktare e kolapsit të euros. Por, a e mbështesin shifrat këtë supozim? Bazuar në statistikat publike nga Banka e Shqipërisë, mesatarisht në vite “normale”, jo zgjedhore, euro është zhvlerësuar me 1.4% kundrejt lekut, ndërsa në vite zgjedhore, përfshirë vitin aktual, me vetëm 0.6%. Pra, shifrat sinjalizojnë se në vite jo zgjedhore euro zhvlerësohet më shumë kundrejt lekut se në vite zgjedhore.

Edhe sa i përket pagave, shifrat tregojnë se viti zgjedhor ka mjaft ndikim. Në vitet teke, pagat janë rritur mesatarisht në nivele më të larta se në vitet jo zgjedhore, dhe kjo tendencë është edhe më e theksuar sa i përket pagave në administratën shtetërore. Pra, atë vit që ka zgjedhje, gjasat janë që pagat të rriten më shumë se gjatë vitit të kaluar apo atij pasardhës, sidomos në “shtet”.

Fatkeqësisht, shifrat tregojnë edhe se në një vit zgjedhor turizmi rritet më pak se në vit “normal”, ose më saktë flukset hyrëse të turistëve të huaj. Në vitet teke, mesatarisht turistët e huaj janë rritur me 22.6%, ndërsa në vitet çifte, ato zgjedhore me vetëm 14.2%.

Çuditërisht, zgjedhjet duket sikur ndikojnë edhe te martesat, pasi kur ka zgjedhje, mesatarisht në Shqipëri ndodhin rreth 1500 celebrime më shumë se në vitet kur nuk ka zgjedhje.

Kjo analizë, e bazuar në statistika publike, jep vetëm disa sinjale në lidhje me ecurinë e ekonomisë sipas vitit, zgjedhor ose jo, dhe jo medoemos do të thotë se diferencat e shifrave përbejnë një fenomen.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Pa remitancat do duhej të punonim 11 orë në ditë/ Dërgesat e emigrantëve vlejnë 3.2 orë punë shtesë në ditë për një shqiptar të punësuar

Postimi mëparshëm

KE për ekonominë shqiptare/ Ekonomia do rritet me 2.9% këtë vit, do ngadalësohet tregtia e jashtme, do ulet inflacioni

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.