Kuriozitete

Shqipëri vs Kosovë, përballja e shifrave/ Krahasimi ekonomik dhe social mes dy shteteve, ku “jetohet më mirë”?

0

Viti 2008-të nuk solli për Kosovën vetëm pavarësinë, por bashkë me të tashmë do të vinin edhe një sërë ndryshimesh si në dimensionit politik dhe ndërkombëtar po ashtu edhe në dimensionin ekonomik. Pas pavarësisë së Kosovës në vitin 2008-të mund të flitej për herë të parë për një marrëdhënie ndërshtetërore me Shqipërinë. Në këtë kontekst të dy vendet kanë ruajtur marrëdhënie të mira të cilat avancojnë dita ditës, por gjithmonë ngrihet pyetja se cili vend është më mirë se tjetri? Cili ka ekonominë më të zhvilluar? Cili ka normën më të ulët të papunësisë apo cili ka pagën mesatare më të lartë? Në të dyja anët e kufirit flitet shpeshherë për anën tjetër, si më mirë se ana e tyre. “Scan Intel” ka analizuar disa komponentë të rëndësishëm ekonomikë dhe socialë për të patur një krahasim sa më real të dy vendeve, dhe për t`i dhënë përgjigje disa prej këtyre pikëpyetjeve, duke zgjedhur disa indikatorë me peshë, sidomos sa i përket mirëqenies. Këta indikatorë lidhen me Prodhimin e Brendshëm Bruto, pagën mesatare neto, papunësinë, të dhëna demografike dhe shumë të tjera. Të dhënat i referohen kryesisht “Institutit të Statistikave” dhe “Agjencisë së Statistikave të Kosovës”.

Bazuar mbi shifrat e analizuara rezulton se Shqipëria ka PBB për frymë më të lartë se Kosova. Sipas të dhënave, gjatë vitit 2021, Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë në Kosovë llogaritet në 4,486 euro, ndërkohë që në Shqipëri përgjatë së njejtës periudhë ky tregues vlerësohet të jetë 4,949 euro. Nga ana tjetër, duket se të punësuarit me pagë në Kosovë janë më të mirëpaguar se ata në Shqipëri. Referuar po të njejtit vit, pra vitit 2021, paga mesatare neto për një të punësuar me pagë në Shqipëri është 406 euro, ndërkohë që paga mesatare neto në Kosovë për vitin 2021 regjistrohet në 432 euro.

Por nëse do të flisnim për tregun e punës të dhënat nga “Agjencia e Statistikave të Kosovës” nuk paraqiten aq pozitive. Shkalla e papunësisë në Kosovë, sipas shifrave zyrtare gjatë tremujorit të dytë të vitit 2021, vlerësohet në 20.5%, ndërsa shkalla e punësimit po për të njejtën periudhë është 30%. Nëse këto të dhëna do t’i vinim përballë shifrave të “Institutit të Statistikave”, shohim se Shqipëria e ka shkallëm e papunësisë ndjeshëm më të ulët se Kosova, me 11.6% në T2 2021. Ndërkohë, nga ana tjetër, Shqipëria e regjistron shkallën e punësimit për tremujorin e dytë të vitit 2021 në 60.7%.

Siç është theksuar edhe në fillim “Scan Intel” përveç indikatorëve ekonomikë ka marrë në analizë edhe disa nga indikatorët demografikë siç janë mosha mesatare, shtesa natyrore, por edhe shifrat e migrimit. Kështu, popullsia në Kosovë për vitin 2020, referuar shifrave të “Agjencisë Europiane të Statistikave” rezulton të jetë rreth 7 vitë me e re se popullsia në Shqipëri. Në Kosovë mosha mesatare llogaritet në 30.5 vite, ndërkohë për Shqipërinë kjo shifër është 37.2 vitë. Sa i përket shtesës natyrore Kosova ka të dhëna pozitive me 14,391 lindje më shumë se vdekje, ndërkohë që Shqipëria ka raport negativ me 3,269 vjdekje më shumë se sa lindje. Por si paraqiten shifrat nëse flasim për largimin e popullsisë nga vendi? Gjatë vitit 2021 migracioni neto në Kosovë vlerësohet të jetë 38,606 më shumë të larguar sesa të ardhur, ndërkohë migracioni neto në vendin tonë llogaritet në 32,853. Nga ana tjetër, shifrat e azilantëve nuk kanë të njetën tendencë. Të dhënat tregojnë se aplikimet për azil nga shqiptarët janë shumë herë më të larta se nga shtetasit e Kosovës. Të dhënat e “Agjencisë për Mbrojtje të Azilantëve” tregojnë se përgjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2022 kanë aplikuar për azil 6.072 shtetas nga Shqipëria dhe 1,243 shtetas nga Kosova.

Në këtë përballje shifrash mes dy vendeve “Scan Intel” ka analizuar edhe të dhënat e kriminalitetit. Gjatë vitit 2019-të Shqipëria kishte 3.84 të dënuar për 1000 banorë, ndërkohë që për të njejtën periudhë Kosova ka 9.64 të dënuar për 1000 banorë. Më pozitivisht rezulton Kosova se Shqipëria sa i përket renditjes në indeksin e korrupsionit. Shqipëria pozicionohet në vend të 110-të mes 180 shteteve në total, ndërkohë që Kosova pozicionohet në vend të 87-të.

Dy shtetet shqiptare vijnë nga një kontekst i ndryshëm historik, dhe për këtë arsye shifrat nuk tregojnë gjithçka, por nga ana tjetër, i japin deri diku përgjigje disa pikëpyetjeve, sidomos kur bëhet fjalë për të krahasuar Shqipërinë me Kosovën.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Shqiptarët janë pasuruar, por nga pronat/ Raporti i “Credit Suisse”: 9.5 mld dollarë shtesë në një vit, 85% e pasurisë së një shqiptari është në prona

Postimi mëparshëm

Shpenzimet e familjeve rriten me vetëm 1,073 lekë/ INSTAT: Ushqimet zënë peshën më të madhe, arsimi dhe argëtimi në fund

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.