Financë

Kreditë e reja për biznesin pësojnë rënie në janar/ Tregtia vijon në vend të parë, ndërtimi i dyti, me 29% të totalit

0

Sipas shifrave të fundit të publikuara nga Banka e Shqipërisë për muajin e parë të vitit 2023, vihet re një rënie e huave të reja të dhëna gjatë janarit drejt bizneseve dhe korporatave jofinanciare private të cilësuara sipas aktivitetit të tyre ekonomik. Kështu, gjatë muajit janar flukset hyrëse të parasë në nivel huash të reja për biznesin fiksohen në 9.98 miliardë. Krahasur me janarin e vitit të kaluar, kemi një rënie prej 8.4%, ose e thënë në vlerë absolute, me 915 milionë lekë. Krahasuar me të njëtën periudhë në 6 vitet e fundit, janari shënon vlerën e 3-të më të ulët, pas 2020-ës dhe 2021-shit.

Përsa i përket sektorëve që janë mbështetur më së shumti nga kreditë e shpërndara gjatë muajit janar shohim që mbizotëron “Tregtia me shumicë dhe me pakicë”, me 44% ose 4.3 miliardë lekë, ku krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë zinte 23%, duke pësuar një rritje prej 21 pikë përqindje. “Ndërtimi” është sektori i dytë në nivel huash të reja, me 29% ose 2.9 miliardë lekë. Për ndërtimin, analiza e shifrave tregon se ka regjistruar një rritje, me 11 pikë përqindje krahasur me janarin e vitit të kaluar.

Peshë të konsiderueshme të kredive të reja zënë “Industria përpunuese”, me 14% dhe “Akomodimi dhe shërbimi ushqimor” me 3% ose 324 milionë lekë. “Energjia elektrike, furnizimi me gaz, avull dhe ajër i kondicionuar” zë vetëm 2% ku krahasuar me janarin e vitit 2022 përbënte sektorin e dytë më të mbështetur nga kreditë e shpërndara, rreth 21% ose 2.2 miliardë lekë. “Aktivitete të pasurive të paluajtëshme” dhe “Aktivitete të tjera shërbimi” janë sektorë që kanë marrë përkatësisht 1% dhe 2% të kredive të reja të financuara gjatë janarit të vitit 2023. Pjesa tjetër e sektorëve mbulon vetëm 5% të kredive ose 532 milionë lekë.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Kreditimi, janari konfirmon ngadalësimin/ 14% rënie krahasuar me vjet. Por, në rritje kredia për blerje banese

Postimi mëparshëm

Sa i paguan Shqipëria çdo vit OKB? $229 mijë, ose 0.008% të buxhetit të Organizatës

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.