Financë

Investimet e huaja vijojnë me rekord/ 308 milionë euro në Janar-Mars, kryesojnë Holanda dhe Italia

0

Fluksi i Investimeve të Huaja Direkte në tremujorin e parë të vitit në vendin tonë fiksohet pranë rreth 308 milionë eurove, që është shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë për këtë periudhë të vitit. Në terma vjetorë, rezulton se Investimet e Huaja Direkte në vendin tonë janë rritur me 1.86% gjatë periudhës Janar-Mars të këtij viti.

Shifrat sinjalizojnë se, edhe përgjatë këtij viti është ruajtur trendi mjaft pozitiv i investimeve të huaja në vendin tonë, i nisur gjatë vitit të kaluar, kur u arrit edhe një rekord historik. Por, nga ana tjetër, shifrat i mëshojnë edhe më tepër faktit se investimet e huaja janë një ndër faktorët që mund të kenë nxitur zhvlerësimin e monedhës së përbashkët europiane në tregun vendas.

Rritja e investimeve të huaja direkte në vendin tonë gjatë këtij fillim-viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, por edhe të viteve të mëparshme, duket se merr shtysë kryesisht nga tendenca për investime drejt aktiviteteve financiare dhe të sigurimit, në një kohë që është vënë re një ngadalësim i lehtë i investimeve në pasuri të paluajtshme. Kujtojmë se këto të fundit, që prej gjysmës së dytë të vitit 2021 kanë regjistruar nivele rekord investimesh nga të huajt në vendin tonë, për të kulmuar në rreth 83 milionë euro në tremujorin e dytë të vitit të kaluar. Këtë fillm-vit shifra ka zbritur pranë 48 milionë eurove. Pavarësisht rënies së lehtë, vijon të mbeten bindshëm mbi mesataren historike.

Sa i përket investimeve të huaja direkte sipas shteteve ndërkohë, shifat tregojnë se Holanda dhe Italia mbeten në vend të parë në terma fluksesh gjatë periudhës janar-mars 2023, edhe pse fluksin më të madh e regjistrojnë në fakt ato me origjinë anonime, të klasifikuara si “të tjera për arsye konfidencialiteti”. Investimet e këtyre të fundit në vendin tonë gjatë tremujorit të parë të vitit kapin shifrën e 65 milionë eurove. Investimet nga Holanda regjistrohen pranë 62 milionë eurove, dhe ato nga Italia pranë 43 milionë eurove. Renditja vijon me Turqinë me rreth 35 milionë euro investime në tre muaj, si dhe me Austrinë me rreth 23 milionë euro. Shtetet e tjera të origjinës së investimeve të huaja në vendin tonë ndjekin me diferenca të mëdha me vendet e para të listës.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Sa dhe si shpenzojmë për ushqime në muaj? 167 euro për person. “Të fiksuar” me fruta-perime, mish, bulmet, ndryshe nga europianët

Postimi mëparshëm

Në Kukës, maturantët më të dalluar/ Analiza e rezultateve të maturës sipas lëndëve dhe qarqeve

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.