Barazi Gjinore

Barazia gjinore, Shqipëria ndër të parat në botë/ WEF: Renditet e 17-ta në glob dhe e para për hendekun në paga

0

Shqipëria renditet në vend të 17-të nga 146 shtete të botës në Raportin Global për Hendekun Gjinor (Global Gender Gap Report), të publikuar nga Forumi Ekonomik Botëror (ËEF). Ky raport, që prej publikimit të parë, në vitin 2006, është një prej indekseve më të vjetër në ndjekjen e progresit të përpjekjeve botërore për t`i dhënë fund pabarazisë gjinore. Çdo vit raporti krahason gjendjen dhe evolucionin e barazisë gjinore bazuar mbi 4 komponentë – Pjesëmarrjen Ekonomike, Mundësitë e Arsimimit, Shëndetit dhe Mbijetesës, si dhe Fuqizimin Politik.

Në renditjen globale, Shqipëria është e pozicionuar e 17-ta, 1 vend më mirë krahasuar me raportin e kaluar, atë të 2022-shit. Në kontinentin europian Shqipëria renditet e 11-ta. Në një krahasim rajonal, vendi ynë ka performancën më të mirë, me Serbinë në vend të 39-të, Malin e Zi në të 69-tin, Maqedoninë Veriut në të 73-tin, dhe Bosnje dhe Herzegovinën në vend të 86-të në botë. Renditja përpilohet mbi bazën e një pikëzimi, nga 0 deri në 1, ku Shqipëria grumbullon 0.791 pikë. Këto shifra tregojnë se hendeku gjinor në vendin tonë është `ngushtuar` me 79.1%.

Raporti tregon se mesatarisht në glob ky `ngushtim` i hendekut gjinor është 68.4%, një përmirësim prej 0.3 pikë përqindje që nga viti 2022. Më tej, raporti sinjalizon se, duhen rreth 67 vite në mënyrë që barazia gjinore të arrihet në kontinentin e vjetër, ndërsa në panoramën globale nevojiten rreth 130 vite. Në grupime rajonale Europa performon më mirë, me 7 nga 10 vendet e para në listë, dhe me Islandën që renditet e para për vitin e 14-të me radhë, duke qënë shteti i vetëm që ka `ngushtuar` më tepër se 90% te hendekut gjinor.

Por, Shqipëria renditet e para në disa nën indikatorë gjithashtu. Ajo ka një përfaqësim të konsiderueshem të femrave në politikë, duke qënë shteti me numrin më të lartë të ministreve femra në qeveri, ndjekur nga Finlanda dhe Spanja. Veç kësaj, Shqipëria renditet e para në botë sa i përket hendekut gjinor në paga, me 85.8%, një shkallë ku Islanda shënon 78.4%, e SHBA-ja 77.3%. Pra, për të njëjtin pozicion pune, Shqipëria regjsitron diskriminim gjinor më të ulët në botë sa i përket pagave.

Një përmirësim i ndjeshëm shihet edhe në krahasimin e rezultateve të Shqipërisë me vitet e mëparshme. Në vitin 2006 vendi ynë renditej i 61-ti në botë, ndërsa sot është i 17-ti. Në nën indikatorin e mundësive arsimore, Shqipëria renditet e 33-ta, në krahasim me vendin e 34-tët në 2022-shin, dhe vendin e 57-të në 2006-ën. Në pjesëmarrjen ekonomike renditet e 18-ta, 5 pozicione më lart se 2022-shi, dhe 20 më tepër se 2006. Një rënie, megjithatë shihet në indeksin e fuqizimit politik (vendi i 28-të, nga vendi i 25-të në 2022-shin), si dhe në shëndeti, ku radhitet e 133-ta, në përmirësim prej 2022-shit, por 23 pozicione më poshtë se në 2006-ën. Duhet theksuar se, në këtë nën-indikator Shqipëria regjistron performancën dhe renditjen më të dobët mes nën-indikatorëve të tjerë.

Komente të tjera tregojnë se Shqipëria ka të drejta tërësisht të barabarta në aksesimin e pasurive të luajtshme, drejtësise, lirisë së lëvizjes, dhe autonomisë riprodhuese. Nga ana tjetër, shifra mjaft pozitive vihen re sa i përket regjistrimit të vajzave në nivelet e ndryshme të arsimit, përfshirë arsimin e lartë. Rreth 59% e të diplomuarve në arsimin e lartë në vendin tonë janë vajza/gra.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Konsumi i fruta-perimeve, jemi të parët në Europë/ 767 euro për frymë në vit, dy herë më shumë se një europian në sasi

Postimi mëparshëm

Sa dhe si shpenzojmë për ushqime në muaj? 167 euro për person. “Të fiksuar” me fruta-perime, mish, bulmet, ndryshe nga europianët

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.