Tregu i Punës

Rritet pabarazia gjinore në paga/ Meshkujt paguhen 6.2% më shumë se femrat, hendeku në ngjitje me 1,7 pikë

0

Të dhënat më të fundit të “Institutit të Statistikave” në publikimin mbi tregun e punës për vitin 2022 tregojnë se hendeku gjinor në paga është 6.2%. Pra, meshkujt kanë një pagë mesatare mujore bruto 6.2% më të lartë sesa femrat. Krahasuar me vitin 2021, vihet re një rritje e hendekut gjinor në paga me 1.7 pikë përqindje. Sipas shifrave të përpunuara hendeku gjinor i pagave krahasuar me vitin 2021 pati rritjen më të madhe në grup-aktivitetin e Aktiviteteve financiare dhe të sigurimit me 2.1 pikë përqindje. Ky aktivitet është aktiviteti i dytë, pas Industrisë nxjerrëse dhe përpunuese, i cili ka hendekun gjinor në paga më të lartë. Sipas shifrave, për vitin 2022, në “Industri” për meshkujt paga është 27.2% më e lartë se për femrat, ndërsa në “Aktivitetet financiare dhe të sigurimit” meshkujt paguhen 18.3% më shumë se femrat. Megjithatë, për aktivitetin e industrisë hendeku gjinor ka shënuar rënie me 2.2 pikë.

Por në cilat aktivitete ekonomike femrat paguhen më shumë se meshkujt? Sipas të dhënave të raportit mbi tregun e punës femrat paguhen më shumë në ndërtim ku hendeku gjinor është 8.8% në favor të tyre. Në aktivitetet e pasurive të paluajtshme, po ashtu, femrat paguhen 0.8% më shumë, ndërsa në aktivitetin e arteve paguhen 2.1% më shumë.

Sipas shifrave, përveç aktivitetit të industrisë, hendeku gjinor është zvogëluar gjithashtu edhe për informacionin e komunikacionin duke rënë me 3.1 pikë. Ndërkohë, duhet theksuar se gjatë vitit të kaluar hendeku gjinor ne aktivitetin e pasurive të paluajtshme ishte 1.6% në favor të meshkujve, ndërsa për vitin 2022 është 0.8% në favor të femrave.

Sa i përket grup-profesioneve, femrat paguhen 3.45% më shumë në profesionin “Ligjvënës, nëpunës të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorë ekzekutivë”, ndërsa meshkujt paguhen më shumë ne profesionin “Punonjës të shitjeve dhe të shërbimeve”.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Shqiptarët martohen më të rinj se europianët/ Renditemi në vend të katërt me moshën mesatare më të re të martesës

Postimi mëparshëm

721 shqiptarë hoqën dorë nga nënshtetësia/ Dominon grupmosha e re, por rriten ndjeshëm të huajt që morën pasaportën shqipare

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.