Tregu i Punës

Pagat u rritën më shumë në shtet/ Thellohet hendeku, rrogat në privat rreth 26% më të ulta

0

Paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë, gjatë tremujorit të katërt 2023, është 75,025 lekë, duke u rritur me 13.7%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar. Po çfarë thonë shifrat për sektorin shtetëror dhe atë privat? Sipas të dhënave të “Institutit të Statistikave” paga mesatare mujore bruto në sektorin shtetëror në tremujorin e 4-tët është ngjitur pranë 87,864 lekëve, nga 74,450 lekë që ishte në tremujorin e fundit të vitit 2022, në rritje me 18%. Në terma nominal bëhet fjalë për një rritje prej 13,414 lekë të pagës mesatare në shtet gjatë vitit të kaluar.

Nga ana tjetër, duket se paga mesatare bruto në sektorin privat është rritur më pak se në shtet. Nga të dhënat shohim se në fund të vitit të kaluar paga bruto në sektorin privat u ngjit pranë 69,400 lekëve, nga 62,198 lekë që ishte në fund të 2022-shit, në rritje në 11.6%. Në terma nominal bëhet fjalë për 7,202 lekë rritje page në muaj për shqiptarët që punojnë në sektorin privat përgjatë vitit 2023.

Pra, pagat në shtet vijojnë të mbeten më të larta se ato në privat, me rreth 26.6%, sipas shifrave të tremujorit të katërt të vitit të kaluar. Ajo që viher re është se ky hendek është thelluar krahasuar me vitin 2022, kur pagat në shtet ishin rreth 20% më të larta se në privat.

Rikujtojmë se Shqipëria renditet mes vendeve me përqindjen më të lartë të punonjësve të cilët janë të punësuar në sektorin shtetëror në krahasim me totalin e të punësuarve me pagë (shiko këtu).

Nëse flasim për aktivitetet ekonomike shohim se grupet që ofrojnë pagë mesatare mujore bruto, më të lartë se paga mesatare në nivel kombëtar, janë Aktivitetet Financiare dhe të Sigurimit dhe Informacioni dhe Komunikacioni, me 148,597 lekë dhe 114,761 lekë përkatësisht. Nga të dhënat pagën më të ulët bruto e regjistrojnë “Bujqësia” dhe “Ndërtimi”.

Sipas shifrave, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, gjatë tremujorit të fundit të vitit 2023 paga mesatare bruto për grup-aktivitetin e ‘Administratës publike dhe mbrojtjes; sigurimi social i detyrueshëm; arsimi; shëndetësia dhe aktivitete të punës sociale’, ka rritjen më të madhe prej 16.2%. Me rritje po ashtu vërehet paha në sektorin e bujqësisë me 15.8%, ndjekur nga ndërtimi me 14.4%. Ndërkohë, rritjen më të vogël e ka grup-aktiviteti ‘Aktivitetet me 4.5%.

Gjatë tremujorit të katërt të vitit 2023, grup-profesionet e “Manaxherëve, Ligjvënësve, Nëpunësve të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorëve ekzekutivë” dhe “Specialistë me arsim të lartë (profesionistë)”, ofrojnë pagat mesatare mujore bruto më të larta, krahasuar me pagën mesatare në nivel kombëtar.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

“Makinat nga Europa” në fokus të blerësve shqiptar/ Në dy muaj u regjistruan mbi 13,500 automjete, rritet interesi për elektriket dhe me 0 km

Postimi mëparshëm

Turizmi, punësimi u rrit më shumë në sektorin e shërbimeve/ Papunësia tek të rinjtë mbetet shqetësuese, ngjitet me 0.5 pikë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.