Emigracioni

721 shqiptarë hoqën dorë nga nënshtetësia/ Dominon grupmosha e re, por rriten ndjeshëm të huajt që morën pasaportën shqipare

0

Janë 125 persona azilkërkues që kanë hyrë në Shqipëri përgjatë vitit 2022, referuar të dhënave të Drejtorisë së Azilit të të Huajve dhe Shtetësisë, pranë Ministrisë së Brendshme. Kjo shifër është ndjeshëm më e ulët se viti 2021, i cili regjistronte gjithsej 2,533 azilkërkues. Rënia fiksohet në 95% përgjatë vitit 2022.

Kështu, nëse analizojmë vendin e origjinës së azilkërkuesve, vërehet se numri më i lartë i azilkërkuesve është me origjinë nga Afganistani me 36 azilkërkues ose 28.8%, duke vijuar me 27 azilkërkues nga Ukraina. Gjatë vitit 2022, rezultojnë 24 vendime pozitive për dhënie të statusit të mbrojtjes plotësuese për azilkërkuesit, nga këto raste 10 i përkasin shtetasve me origjinë nga Afganistani, 6 shtetasve me origjinë nga Egjipti, 5 shtetasve nga Siria dhe 3 raste shtetasve nga Tunizia.

Interesante paraqiten shifrat sa i përket fitimit dhe lënies të shtetësisë shqiptare përgjatë vitit 2022. Në vitin që lamë pas rezultojnë 1,527 persona të cilët kanë fituar shtetësi shqiptare, duke pësuar rritje me 114.8%, krahasuar me vitin 2021. Të dhënat sipas gjinisë tregojnë se 931 persona që kanë fituar shtetësinë Shqiptare janë meshkuj dhe 596 femra. Vihet re një dominim i meshkujve me 61. 0%. Nisur nga shifrat ndër vite, numri i personave të cilët kanë fituar shtetësi shqiptare në vitin 2022 është më i larti që nga viti 2017-të.

Por cili është vendi i origjinës për këta persona që kanë fituar shtetësi shqiptare? Rreth 85.1% e tyre janë nga Kosova, 4.3% nga Turqia, 2.1% nga Italia dhe 1.3% nga Siria.

Në 2022, rezultojnë 721 persona të cilët kanë hequr dorë nga shtetësia shqiptare, duke pësuar një rënie me 0.4%, krahasuar me vitin 2021. Për personat që kanë lënë shtetësinë Shqiptare, grup-mosha që dominon është 30-39 vjeç me 48.3%, e ndjekur me grup-moshën 40-49 vjeç dhe 20-29 vjeç respektivisht me 22.1% dhe 16.5%. Pra, personat që kanë lënë shtetësinë shqiptare janë kryesisht të rinjtë.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Rritet pabarazia gjinore në paga/ Meshkujt paguhen 6.2% më shumë se femrat, hendeku në ngjitje me 1,7 pikë

Postimi mëparshëm

Ballafaqimi i vendeve të rajonit/ Shifrat, krahasimi i Shqipërisë me të tjerët dhe largësia me BE

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.