Tregu i Punës

Si ndryshoi tregu i punës në Europë? Shqipëria mes vendeve me rritje, regjistron normë punësimi më të lartë se Serbia

0

Të dhënat e Eurostat tregojnë se shkalla e punësimit në vendin tonë gjatë tremujorit të katërt të vitit të kaluar ishte nën mesataren e Bashkimit Europian, por më e lartë se në disa vende të rajonit apo Europës. Treguesi i punësimit në Shqipëri u regjistrua në 66.7%, ndërkohë që mesatarja e BE-së ishte 70.5%. Por ky nivel punësimi në Shqipëri paraqitet më mirë se në vendet si Kroacia, Spanja, Greqia, Serbia apo Italia. Për këto të fundit shkalla e punësimit për tremujorin e fundit të vitit që lamë pas varion nga 62% në 66.5%.

Referuar të dhënave nga Agjensia Europiane e Statistikave vihet re se Shqipëria është mes vendeve që kanë shënuar rritje të punësimit përsa i përket grupmoshës 15-64 vjeç, duke lënë pas edhe vendet më të zhvilluara si Danimarka, Norvegjia, Luksemburgu etj. Konkretisht në vendin tonë ndryshimi vjetor i punësimit për popullsinë 15-64 vjeç  ishte 0.2%, i njëjtë si në Gjermani, Austri dhe Belgjikë.

Nga ana tjetër, shifrat tregojnë se Islanda, Hollanda dhe Zvicra janë vendet me shkallën e punësimit më të lartë. Në Islandë treguesi i punësimit ka arritur në 83.3%, në Hollandë 82.5% dhe në Zvicër 80.7%. Niveli i punësimit paraqitet i kënaqshëm edhe në vendet si Malta, Suedia dhe Gjermania. Konkretisht, shkalla e punësimit është 78.7% në Maltë dhe 77.3% në dy vendet e tjera.

Nëse i rikthehemi të dhënave të INSTAT lidhur me treguesit e papunësisë, shfirat tregojnë se gjatë tremujorit të katërt 2023 norma është ulur me 1.2 pikë, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022, por është rritur me 0.2 pikë krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Për grupmoshën aktive për punë, pra që i përket intervalit të moshës 15 vjeç e lart, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri është 10.7%.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Shqipëria mikpriti turistë edhe në dimër/ Strukturat akomoduese patën rreth 42% më shumë vizitorë të huaj

Postimi mëparshëm

Shqipëria, vendi më i palumtur në rajon/ Raporti Global i Lumturisë: Renditemi të 87-tët në botë, Kosova e 29-ta

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.