EkonomiTregu i Punës

Paga mesatare arrin në 71,486 lekë/ Instat: Vlerat më të larta të rritjes për punonjësit e shtetit

0

Sipas të dhënave zyrtare nga “INSTAT” paga mesatare mujore bruto në vendin tonë për tremujorin e tretë të këtij viti arriti në 71,486 lekë. Rritja shënohet si në terma vjetorë me 16%, ashtu edhe krahasuar më tremujorin e kaluar. Po të flasim në shifra absolute rritja e pagave përgjatë një viti është afërsisht 10 mijë lekë, ndërsa gjatë tre muajve është rritur me 5 mijë lekë.

Nëse flasim për aktivitetet ekonomike shohim se grupet që ofrojnë pagë mesatare mujore bruto, më të lartë se paga mesatare në nivel kombëtar, janë Aktivitetet Financiare dhe të Sigurimit dhe Informacioni dhe Komunikacioni, me 132,686 lekë dhe 105,585 lekë përkatësisht. Nga të dhënat pagën më të ulët bruto e regjistrojnë “Bujqësia” dhe “Ndërtimi” me 47,648 lekë dhe 57,080 lekë.

Sipas shifrave, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, gjatë tremujorit të tretë 2023 paga mesatare bruto për grup-aktivitetin e ‘Administratës publike dhe mbrojtjes; sigurimi social i detyrueshëm; arsimi; shëndetësia dhe aktivitete të punës sociale’, ka rritjen më të madhe prej 18.6%. Me rritje po ashtu vërehet paha në sektorin e ndërtimit me 16.3%, ndjekur nga tregtia me 16%. Ndërkohë, rritjen më të vogël e ka grup-aktiviteti ‘Aktivitetet Financiare dhe të Sigurimit’ prej 11.4% dhe ‘Arte, argëtim dhe çlodhje’ me 11.7%.

Por si është ndryshimi tremujor i pagës për aktivitetet ekonomike? Sipas të dhënave të analizuara nga “Scan Intel” rritjen më të madhe, krahasuar me tremujorin e kaluar, e ka shënuar grupi i aktiviteteve të pasurive të paluajtshme me 3.7%, pasuar nga administrata publike me 3.2% duke reflektuar kështu ndryshimet e pagave të miratuara nga qeveria. Nga ana tjetër, krahasuar me tremujorin e dytë, me rënie paraqiten pagat për grupin e aktiviteteve financiare me 11% dhe informacionit e komunikacionit me 5.8%.

Gjatë tremujorit të tretë 2023, grup-profesionet e “Manaxherëve, Ligjvënësve, Nëpunësve të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorëve ekzekutivë” dhe “Specialistë me arsim të lartë (profesionistë)”, ofrojnë pagat mesatare mujore bruto më të larta, krahasuar me pagën mesatare në nivel kombëtar.

Sa i përket papunësisë, norma në tremujorin e tretë të këtij viti fiksohet pranë 10.5%, duke shënuar një rekord historik minimal. Sipas të dhënave të INSTAT, shkalla zyrtare e papunësisë u ul me 0,03 pikë përqindje, në krahasim me tremujorin e tretë të vitit 2022, dhe me 0,2 pikë përqindje, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2023.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Çmimet e prodhimit rriten më shumë se të importit/ Rritja u ndikua kryesisht nga industria nxjerrëse dhe energjia

Postimi mëparshëm

Përse ‘e duan’ të huajt Shqipërinë? Gati gjysma për punësim, vetëm 4% për shkollim. Rriten me 21.6% lejet e qëndrimit

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.