Sociale

Shqiptarët martohen më të rinj se europianët/ Renditemi në vend të katërt me moshën mesatare më të re të martesës

0

Shifrat nga “Agjencia Europiane e Statstikave” tregojnë se Shqipëria është ndër vendet me moshën mesatare më të re të martesës, si për meshkujt, ashtu edhe për femrat. Sipas të dhënave, për vitin 2021, mosha mesatare e martesës për meshkujt është 31.1 vjeç, ndërsa për femrat llogaritet në 27.7 vjeç.

Nëse e analizojmë këtë tregues vetëm për meshkujt, krahasuar me vendet e tjera të Europës, shohim se mes vendeve për të cilat Eurostat ka të dhëna, Shqipëria renditet e katërta me moshën më të re për vitin 2021. Në raport me vendet e rajonit vetëm Maqedonia e Veriut renditet më poshtë Shqipërisë dhe e fundit në Europë me moshë më të re të martesës tek meshkujt me 29.5 vjeç. Mali i Zi këtë mesatare e regjistron në 31.2 vjeç, ndërsa në Serbi meshkujt martohen rreth 31.5 vjeç mesatarisht. Spanja dhe Italia janë shtetet ku mosha mesatare e martesës për meshkujt është më e larta me 36.9 vjeç dhe 35.7 vjeç.

Po të fokusohemi në të dhënat referuar moshës mesatare të martesës te femrat raporti është sërish i njejti si te meshkujt. Shqipëria renditet mes katër vendeve më moshën më të re, por krahasuar me rajonin, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut pozicionohen poshtë vendit tonë me moshë më të re. Serbia për vitin 2021 e regjistron këtë tregues në 28.5 vjeç. Spanja dhe Italia sërish kryesojnë Europën sa i përket moshës së martesës te femrat, me 34.7 vjeç dhe 33 vjeç.

Duhet te theksojmë se këto rezultate varen edhe nga mosha mesatare e popullsisë në secilin vend. Pavarësisht plakjes së popullsisë në Shqipëri dhe rënies së numrit të lindjeve, mbetemi ndër vendet me popullsisë me të re.

“Scan Intel” nisur nga këto të dhëna ka llogaritur diferencën e moshës mesatare të martesës mes meshkujve dhe femrave. Të dhënat tregojnë se në të gjitha vendet e Europës femrat martohen më herët se meshkujt. Shqipëria është vendi i dytë në Europë, e cila regjistron diferencën më të lartë të moshës mesatare të martesës me 3.4 vite më herët për femrat. Mali i Zi pozicionohet i pari në këtë renditje me 3.7 vite. Greqia dhe Portugalia kanë diferencat më të vogla me 1.5 vite dhe 1.6 vite secila.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

7 në 10 biznese shqiptare, “në hall” për IT/ Eurostat: Kemi normën më të lartë në rajon dhe ndër të parat në Europë

Postimi mëparshëm

Rritet pabarazia gjinore në paga/ Meshkujt paguhen 6.2% më shumë se femrat, hendeku në ngjitje me 1,7 pikë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.