Tregu i Punës

Shqiptarët më punëtorë se Europianët?! Kryesojmë me 43.7 orë pune në javë, femrat në Shqipëri punojnë 1 ditë më shumë se ato në Europë

0

Sipas të dhënave më të fundit të ‘Agjencisë Europiane të Statistikave’ kryqëzuar me ato të ‘INSTAT’ shqiptarët punojnë rreth 6 orë më shumë në javë se europianët. Pra, sipas të dhënave të vitit 2022 në Shqipëri punohet pothuaj një ditë më shumë se në vendet e Bashkimit Europian. Orët mesatare aktuale javore për një të punësuar me pagë në vendin tonë janë 43.7 orë, ndërkohë mesatarja e Bashkimit Europian është 37.3 orë. Me këtë tregues Shqipëria kryeson Europën duke u renditur e para me më shumë orë pune në javë. Serbia ndjek e dyta në renditje me 43.2 orë pune në javë dhe pasohet nga Greqia me 41 orë. Në vend të fundit në Europë me më pak orë punë gjejmë të renditur vende si Holanda me 31.7 orë punë në javë dhe Danimarkën e Norvegjinë me 34.5 orë secila.

Referuar të dhënave orët mesatare aktuale javore të punës në vendin tonë janë rritur, krahasuar me vitin 2021, i cili e kishte këtë tregues në 43.3 orë.

Të dhënat e INSTAT për vitin 2022 flasin mesatarisht për 42.5 orë punë në javë për femrat dhe 44.8 orë punë në javë për meshkujt. Edhe nëse e analizojmë sipas vendeve të Europës dhe gjinisë përsëri Shqipëria mban vendin e parë. Diferenca e orëve të punës mes Shqipërisë dhe mesatares së BE-së për meshkujt është 6 orë, ndërsa për femrat është 8, pra një ditë e plotë.

Nëse analizojmë të dhënat e ‘Institututit të Statistikave’ sipas aktiviteteve ekonomike shohim në prodhim dhe në ndërtim punohet më shumë se në sektorët e tjerë. Në prodhim një i punësuar me pagë punon rreth 46.7 orë, ndërsa në ndërtim ky i punësuar punon 45.9 orë në javë. Tregtia dhe bujqësia po ashtu qëndrojnë mbi mesataren, ndërkohë administrata publike punon 39.8 orë në javë.

Por në cilin sektor në Shqipëri punojnë femrat më shumë se meshkujt? Nga të dhënat e përgjithshme meshkujt punojnë 3 orë më shumë në javë se femrat, por në sektorin e bujqësisë këto të fundit duket se punojnë më gjatë. Orët mesatare javore për femrat në këtë sektor janë 45.3, ndërsa për meshkujt 44.7 orë.

Megjithatë vlen për t’u theksuar se pavarësisht orëve të zgjatura në punë Shqipëria vijon të mbetet vendi me pagat më të ulta në Europë.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Inflacioni sipas Eurostat, në 4.7%/ Rreth 1.2 pikë përqindje larg mesatares së Bashkimit Europian për muajin gusht

Postimi mëparshëm

Përmirësohet liria ekonomike në Shqipëri/ Renditemi në vend të 31, kryesojmë rajonin dhe disa prej vendeve më të zhvilluara të Europës

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.