Tregu i Punës

Norma e papunësisë zbret në 10.7%/ Shumë pranë rekordit më të ulët. Bie edhe për të rinjtë krahasuar me tremujorin e kaluar

0

Përgjatë tremujorit të dytë të këtij viti shkalla e papunësisë ka shënuar rënie si në terma vjetorë ashtu edhe në terma tremujorë tregojnë të dhënat e anketës së forcave të punës. Shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri është 10.7% dhe ka rënë me 0.4 pikë përqindje, në krahasim me tremujorin e dytë të vitit 2022, dhe me 0.1 pikë përqindje, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2023. Referuar të dhënave për këtë tregues shohim se në tremujorin e dytë të këtij viti shkalla e papunësisë i është rikthyer trajektores rënëse pas rritjes përgjatë dy tremujorëve të kaluar. Sipas shifrave shkalla zyrtare e papunësisë për burrat është 11.0% ndërsa për gratë 10.4%. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022, shohim se shkalla e papunësisë është rritur me 0.3 pikë përqindje për burrat, ndërkohë është ulur me 1.0 pikë përqindje për gratë.

Shkalla e papunësisë për të rinjtë është thelluar në terma vjetorë me 2.1 pikë, por lajmi i mirë është se ka regjistruar një rënie karahasuar me tremujorin e parë të këtij viti me 0.2 pikë përqindje duke arritur në 22.3%. Shkalla e papunësisë për grup-moshën 30-64 vjeç është 7.7%. Në terma vjetorë ky tregues është ulur me 1.0 pikë përqindje dhe krahasuar me tremujorin e mëparshëm ka një ulje me 0.1 pikë përqindje.

Nga ana tjetër, nëse do të flisnim për shifrat e punësimit, “Instituti i Statistikave” sinjalizon se përgjatë tremujorit të dytë të këtij viti shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 67.4%. Gjatë këtij tremujori, numri i të punësuarve gjithsej u rrit me 2.7%, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2022, dhe është rritur me 0.1%, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2023. Shkalla e punësimit për burrat e grupmoshës 15-64 vjeç është 72.6%, ndërsa për gratë është 62.3%. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022, shkalla e punësimit është rritur për burrat me 1.7 pikë përqindje, ndërsa për gratë është rritur me 4.1 pikë përqindje.

Po të flasim sipas sektorëve të dhënat tregojnë se punësimi ka rënë me 6.1% në sektorin e bujqësisë dhe me 1.8% në sektorin e industrisë, ndërsa u rrit me 11.9% në sektorin e shërbimeve.

Sa i përket pjesëmarjes në forcat e punës në tremujorin e parë 2023, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës, për popullsinë 15-64 vjeç, është 75.8%. Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2022, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 3 pikë përqindje më e lartë, ndërkohë që krahasuar me tremujorin e mëparshëm është rritur me 0.1 pikë përqindje.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

1 në 3 shqiptarë nuk përballon dot ngrohjen/ Eurostat: Shqipëria renditet në vend të parë në Europë me normën më të lartë

Postimi mëparshëm

Paga mesatare arrin në 70,905 lekë/ 9.6% më e lartë se në tremujorin e parë. Financa dhe administrata me rritje dyshifrore

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.