Tregu i Punës

Vetëpunësimi, Shqipëria kryeson Europën/ Kemi normën më të lartë me 32%, në BE vetëm 13% janë të vetëpunësuar

0

Sipas vlerësimeve të anketës mbi tregun e punës, për vitin 2022, rezulton se për grupmoshën 15 vjeç e lart, 47.0% e të punësuarve janë të punësuar me pagë, 21.5% janë punëtorë pa pagesë në biznesin e familjes dhe 31,5 % janë të vetë-punësuar. “Scan Intel” ka kryer një analizë mbi normën që ka zënë vetëpunësimi në Shqipëri sipas viteve, gjinisë, por edhe krahasuar me vendet e tjera të Europës. Sipas shifrave vihet re një rënie e të vetëpunësuarve për vitin 2022, krahasuar me vitin 2021, i cili e regjistronte normën e vetëpunësimit në 32%. Referuar INSTAT, që nga viti 2010-të, norma më e lartë e personave të vetëpunësuar është regjistruar në vitin 2016-të me 34.9%, ndërkohë norma më e ulë ka qenë në vitin 2013-të me 25.8%.

Pavarësisht rënies të dhënat tregojnë se Shqipëria kryeson Europën me përqindjen më të lartë të të vetëpunësuarve. “Scan Intel” ka kryqëzuar të dhënat e “Institutit të Statistikave” me ato të “Agjencisë Europiane të Statistikave” nga ku del se dukshëm vendi ynë është shumë më lart mesatares. Të dhënat për vitin 2021 tregojnë se norma e të vetëpunësuarve në punësimin gjithsej në Bashkimin Europian është 13.05%, pra rreth 19 pikë përqindje më e ulët se në Shqipëri. Pas Shqipërisë renditet Greqia me përqindjen më të lartë të personave të vetëpunësuar me 26.9%, pasuar nga Italia me 19.6% dhe Polonia me 18%.

Norvegjia, Gjermania dhe Danimarka janë vendet që kanë normën më të ulët të të vetëpunësuarve në Europë, me 3.86%, 7.69% dhe 7.71% përkatësisht. Nga të dhënat e Eurostat shihet se vetëpunësimi është në rënie në vendet e Bashkimit Europian, nga 14.6% në vitin 2011-të, në 13.1% përgjatë vitit 2021.

Nëse i analizojmë të dhënat sipas gjinisë shohim se përqindja për meshkujt është më e lartë se për femrat. Janë 38.1% të vetëpunësuarit meshkuj në vitin 2022 duke shënuar në rënie 0.9 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2021. Nga ana tjetër, për femrat ky tregues është 23.7%. Krahasuar më vitin 2021, gratë e vetëpunësuara kanë shënuar rritje me 0.4 pikë përqindje.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Nga po `dynden` më shumë turistët në Shqipëri? Turqia, Gjermania dhe Italia, 3 shtetet me rritjen më të madhe mes “Top 10”

Postimi mëparshëm

Biznesi shqiptar, mikpritës për Romët/ RCC: 68% e tyre do t’i punësonin nëse plotësojnë kushtet, Shqipëria dhe Bosnje Hercegovina kryesojnë rajonin

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.