Raporte

Objektivat e SDG, sa progres ka bërë Shqipëria? Ngjitet me 7 pozicione, por në vend numëro me rritjen ekonomike dhe institucionet e forta

0

Indeksi i Zhvillimit të Qëndrueshëm për vitin 2023, i publikuar nga “Cambridge University” dhe me mbështetjen e agjencive të OKB-së, tregon se Shqipëria ka bërë progres në realizimin e disa prej objektivave të vendosura për një zhvillim të qëndrueshëm. Ky raport e rendit Shqipërinë për këtë vit në vend të 54-t nga 166 shtete të marra në analizë. Në edicionin e kaluar Shqipëria pozicionohej në vend të 61, duke u ngjitur kështu me 7 pozicione. Shqipëria ka grumbulluar gjithsej 83.4 pikë, ku 0 është vlerësimi i dobët dhe 100 vlerësim pozitiv, nga 71.6 pikë që pati grumbulluar përgjatë indeksit të kaluar të vitit 2022.

Raporti i Zhvillimit të Qëndrueshëm për vitin 2023 është një vlerësim i performancës së përgjithshme të secilit vend në përmbushjen e 17-të objektivave të vendosura nga axhenda 2030 për zhvillimin e qëndrueshëm. Axhenda 2030 synon një botë pa varfëri dhe uri, me arsim cilësor, mbulim shëndetësor universal, arritje të barazisë gjinore dhe fuqizim të grave e vajzave, dhe me një mjedis të qëndrueshëm. Ky indeks ndihmon në identifikimin e prioriteteve për veprime të mëtejshme dhe tregojnë nëse vendet janë në rrugën e duhur për të gjurmuar problemet dhe për të arritur objektivat.

“Scan Intel” përmes raportit ka analizuar 17-të pikat për të parë më konkretisht progresin e vendin tonë në secilën prej tyre. Grafiku tregon se Shqipëria, krahasuar me vitin e kaluar, ka bërë disa përmirësime, ku dy nga objektivat duket se janë realizuar plotësisht. Referuar të dhënave, marrja e masave për të luftuar ndryshimet klimatike dhe eleminimi i varfërisë janë dy objektivat për të cilat është punuar dhe janë realizuar, por për ndryshimet klimatike progresi ka qenë i moderuar. Sipas hartës së objektivave për Shqipërinë është bërë progress i kënaqshëm edhe për ujin e pastër dhe kanalizimet, si edhe për zvogëlimin e pabarazive.

Ndër objektivat ku Shqipëria ka punuar për t’i arritur, por me hapa më të ngadaltë, mund të përmendim: energjinë e përballueshme dhe të pastër, zero uri, shëndet të mirë dhe mirëqenie, barazi gjinore dhe industri e inovacion. Vlen të theksohet se për këto objektiva progresi ka qenë i moderuar dhe mbëten sfida për të ardhmen.

Nga ana tjetër, raporti tregon se nga 17 objektiva gjithsej, në disa prej tyre vendi ynë nuk ka qenë në rrugën e duhur. Sipas hartës së objektivave me ngjyrat përkatëse, Shqipëria nuk ka bërë progres duke mbetur në vend numëro sa i përket nxitjes së rritjes ekonomike të vazhdueshme, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, punësim të plotë dhe produktiv, si dhe punë të denjë për të gjithë. Një tjetër objektiv ku vendi ynë përsëri nuk regjistron progres është ruajtja dhe përdorimi i qëndrueshëm i oqeaneve, deteve dhe burimeve detare si dhe objektivi i cili lidhet me drejtësine dhe institucionet e forta.

Sa i përket krahasimit me rajonin shohim se Serbia ruan pozitat më të mira duke u renditur në vend të 36-të, pasuar nga Bosnje Hercegovina në vend të 47-të. Shqipëria ka lënë pas Maqedoninë e Veriut në vend të 60-të dhe Malin e Zi në vend të 67-të. Referuar të dhënave nga raporti i vitit të kaluar, Shqipëria ka mundur këtë vit të kalojë në renditje Maqedoninë e Veriut. Në vend të parë në botë renditet Finlanda, pasuar nga Suedia dhe Danimarka.

Indeksi i Zhvillimit të Qëndrueshëm, 2023

Indeksi i Zhvillimit të Qëndrueshëm, 2023

Për të parë raportin e plotë klikoni këtu

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Të varfër, por s`kursejmë për argëtim/ Jemi të 3-tët në Europë, shpenzojmë 1.1 mld euro në vit, 6.2% të PBB-së

Postimi mëparshëm

Sa na kushton shkollimi i një mjeku? 36 mijë euro për 6 vite studime. Tarifat e shkollimit janë sa 6-8% e kësaj kosto

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.