Arsim

Mësuesit sipas gjinisë, si renditet Shqipëria? Jemi ndër vendet me peshën më të lartë të mësueseve femra

0

Në vitin akademik 2022-23, në stafin mësimor mbizotërojnë gratë në arsimin 9-vjeçar dhe atë të mesëm, përkatësisht me 77.4% dhe 69.8% e mësuesve të secilit nivel. “Scan Intel” ka analizuar të dhënat e “Agjencisë Europiane të Statistikave” duke i kryqëzuar me ato të INSTAT për të parë se si varion ky tregues sipas vendeve të Europës. Në të gjitha shtetet anëtare të BE-së, mësuesit e shkollave ishin kryesisht femra. Nga të dhënat më të fundit për këtë tregues shohim se mësueset femra në Shqipëri zënë rreth 69.8% totalit, ndërsa meshkujt zënë 30.2%, gjithmonë nëse flasim për totalin e mësuesve në arsimin e mesëm. Shifrat tregojnë se mesatarja e Bashkimit Europian ndahet në 60.9% femra dhe 39.1% meshkuj. Nisur nga ky tregues shohim se Shqipëria qëndron mbi mesataren europiane sa i përket peshës që zënë mësueset femra në arsimin e mesëm. Po ashtu Shqipëria renditet mes vendeve 10 vendeve të para në Europë me numrin më të lartë të mësueseve femra dhe e para në rajon. Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia e Veriut ndjekin vendin tonë sa i përket këtij treguesi referuar të dhënave të EUROSTAT.

Mes vendeve të Europës përqindja e mësueseve femra ishte më e lartë në Letoni me 79.8%, Lituani me 78.3% dhe Bullgari me 76.6%. Në të kundërt, përqindja e mësuesve meshkuj ishte më e lartë vetëm në Zvicër, ku në arsimin e mesëm ndahen 53.8% mësues meshkuj dhe 46.2% mësuese femra. Ndërkohë, Lihtenshtejni e ka këtë tregues të barabartë mes dy gjinive.

Nga ana tjetër, “Scan Intel” gjithashtu ka analizuar edhe përqindjen që zënë mësuesit e rinj të grupmoshës 25-29 vjeç, në totalin e mësuesve në arsimin e mesëm. Sipas të dhënave të “Agjencisë Europiane të Statistikave” ky tregues është i ndryshëm në vende të ndryshme. Sërish Shqipëria renditet mes vendeve të para me peshën më të lartë të mësuesve të rinj kundrejt totalit në arsimin e mesëm.

Të dhënat tregojnë se në Shqipëri rreth 7.4% e mësuesve në arsimin e mesëm bëjnë pjesë në grupmoshën 25-29 vjeç. Mesatarja e Bashkimit Europian për këtë tregues është 4.9%. Në vend të parë mes shteteve të Europës renditet Malta me 11.1% dhe ndiqet nga Irlanda me 11%. Portugalia, Italia dhe Greqia renditen në fund të Europës me numrin më të ulët të mësuesve nga 25 deri në 29 vjeç në arsimin e mesëm. Shqipëria në këtë renditje lë pas edhe vendet e rajonit.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Na kushtojnë më lirë prodhimet e importit/ Energjia dhe industria përpunuese shtrenjtojnë prodhimin vendas

Postimi mëparshëm

Në Shqipëri, ndër 4 gra ka 5 fëmijë/ Renditemi të tretët nga fundi duke lënë pas vetëm Maltën dhe Spanjën

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.