Arsim

Të rinjtë po i “largohen” ekonomikut dhe juridikut/ Bien me 14% diplomimet në këto degë, rriten në `Inxhinieri`, `IT` dhe `Shkenca natyrore`

0

Shifrat më të fundit nga Instituti i Statistikave tregojnë se numri i të diplomuarve në arsimin e lartë në vendin tonë ka rënë ndjeshëm gjatë vitit të kaluar akademik, me plot 5.4%. Në total, bëhet fjalë për 30,910 të diplomuar, nga 32,690 që ishin gjatë vitit pararendës akademik. Pra, në vetëm një vit janë diplomuar 1780 studentë më pak. Kjo rënie e ndjeshme e numrit të të diplomuarve padiskutim që ka lidhje të drejtpërdrejtë me ndryshimin e struktrës demografike të vendit tonë, dhe veçanërisht me plakjen dhe me emigrimin, fenomen që prek më së shumti moshat e reja. Shifrat e diplomimit ndjekin në proporcion të drejtë ato të të regjistruarve në ciklin e arsimit të lartë, dhe nuk lidhen thuajse fare me mbarimin ose jo të shkollimit.

Por, ndërkohë që shifrat në nivel makro nxjerrin në pah tendencat dhe problemet e mëdha demografike të Shqipërisë sot, në nivel mikro na japin një panoramë të qartë të tendencave të të rinjve sa i përket degës së studimeve. Edhe gjatë vitit akademik 2021-2022 janë konfirmuar tendencat e viteve të fundit, madje me nuanca edhe më të theksuara, sa i përket zhvendosjes drejt shkencave ekzakte dhe “braktisjes” së shkencave shoqërore, juridikut, ekonomikut dhe arteve. Rënien më të madhe vjetore të të diplomuarve e regjistrojnë pikërisht degët “Biznes, administrim dhe ligj”, me plot 14.2%, ose rreth 1400 të diplomuar më pak. Pavarësisht kësaj rënie drastike, këto degë vijojnë të jenë më të preferuarat, duke përfaqësuar plot 27% të totalit. Rënie të theksuar regjistrojnë edhe “Arte dhe shkenca humane” me 13.7%, ose rreth 400 diplomime më pak në një vit. Janë 2724 të diplomuar në këto degë gjatë vitit të kaluar akademik. Me rënie të konsiderueshme të numrit të të diplomuarve regjistrohen edhe degët e “Bujqësisë, pyjeve, peshkimit dhe veterinarisë”, me plot 10.7% më pak në harkun e një viti. Këto janë degët e vetme ku rënia e të diplomuarve është mbi mesataren e arsimit të lartë, çka do të thotë se kjo rënie nuk është rrjedhojë vetëm e tendencave demografike, por sidomos e tendencave të degëve që parapëlqejnë të rinjtë për të studiuar.

Nga krahu i kundërt ndërkohë ka edhe degë që regjistrohen me rritje të numri të të diplomuarve. Në vend të parë, me rritjen më të madhe është “Inxhinieria, prodhimi dhe ndërtimi” me plot 7.9% më shumë të diplomuar gjatë vitit akademik 2021-2022 krahasuar me vitin pararendës. Po me 7.9% rritje regjistrohen edhe “Shërbimet”, ndërkohë që “Shkencat natyrore, matematikë dhe statistikë” janë rritur me 6.7% dhe “Teknologjia e informacionit dhe komunikimit” me 2.6%.

Po sa i përket degëve që mbajnë peshën më të madhe në “tortën” e të diplomuarve gjatë vitit të kaluar? Shifrat tregojnë se pas “Biznesit, administrimit dhe ligjit”, që kryesojnë me 27% ndjek “Shëndeti dhe mirëqenia” me 16% të totalit. Më pas vijon “inxhinieria” me 11% si dhe “Shkenca arsimi” dhe “Shkenca sociale, gazetari, informacion” me nga 10% secila. “Bujqësi, pyje, peshkim, veterinari” dhe “Shërbime” me nga 4% secila, si dhe “Shkenca natyrore, matematikë dhe statistikë” me 3% janë degët më pak të preferuara të të rinjve sot.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Cilat shtete i “braktisën” produktet shqiptare? Forcimi i lekut, Kosova, Gjermania, RMV dhe Kina, vendet me rënien më të madhe të eksporteve në Prill

Postimi mëparshëm

Shqipëria “humbet” mbi 10 mijë nxënës në vit/ Në 3 dekada janë përgjysmuar nxënësit e arsimit 9-vjeçar, në rënie konstante që prej 1997-ës

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.