ArsimTeknologji

Sa investon Shqipëria në kërkimin shkencor? 756 herë më pak se mesatarja e BE-së, me vetëm 16 milionë euro në vit

0

Ministria e Arsimit ka publikuar draft strategjinë kombëtare për kërkimin shkencor, teknologjinë dhe inovacionin për vitet 2023-2030. Kjo strategji është hartuar si një dokument politikash afatmesëm e shtrirë në 8 vite duke qënë në këtë mënyrë në përputhje edhe me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim si dhe me strategjinë e Axhendës 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm. Duke marrë në konsideratë zhvillimet e deritanishëm, vizioni i strategjisë synon që Shqipëria deri në vitin 2030, do të sigurojë kërkim shkencor cilësor për një zhvillim socio-ekonomik të qëndrueshëm gjithëpërfshirës dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe europiane, bazuar në njohuritë e reja shkencore dhe risitë në teknologji dhe inovacion.

Për të siguruar arritjen e objektivave specifikë, strategjia është shoqëruar me “Planin e Veprimit” që mbulon të njëjtën periudhë, si edhe parashikon buxhetin e nevojshëm për realizimin e masave të parashikuara për çdo objektiv dhe qëllim politike.

Kosto totale e strategjisë për të tetë vitet është 27,561,290,784 lekë (275 mld lekë) ose rreth 240 milionë euro me një hendek financiar prej 4.3%. Konkretisht për vitin 2023 janë planifikuar 1,830,464,342 lekë (1.8 miliardë lekë) ose rreth 15.9 milionë euro. E thënë ndryshe në vendin tonë në një vit për “kërkim shkencor, teknologjinë dhe inovacionin” janë alokuar (do të shpenzohen) rreth 1.8 miliardë lekë. Në vija të përgjithshme është e vështirë të gjykojmë këtë vlerë por për të krijuar një ide më të qartë mbi rëndësinë që vendi ynë i kushton këtij sektori do të shohim sa shpenzojnë vende të tjera të Europës.

Për të sjellë një panoramë krahasimore, do t’ju referohemi të dhënave të Eurostat mbi shpenzimet qeveritare të disave nga shtetet europiane për vitin 2021 për sektorin e “kërkimit dhe zhvillimit”. Të dhënat na tregojnë që totali i vendeve të Bashkimit Europian është në vlerën e 328.48 miliardë eurove, dhe mesatarja pranë 12.1 miliardë eurove. E thënë ndryshe shpenzimet e planifikuara të Shqipërisë janë sa 0.13% e shpenzimeve që bëjnë vendet e Bashkimit Europian brenda një viti, ose 756 herë më pak. Vendi që rezulton me shpenzimet më të larta për “kërkim dhe zhvillim” është Gjermania me rreth 112.85 miliardë euro, ndiqet nga Franca me 55 miliardë euro dhe Italia me 26.51 miliardë euro.

Ndërkohë në fund të kësaj renditje qëndron Malta me vetëm 94.99 milionë euro, por 6-fish më shumë se shpenzimet që alokon Shqipëria për sektorin e “kërkimit shkencor, teknologjisë dhe inovacionit”. Në vendin e parafundit gjendet Qipro me 208 milionë euro, ndërkohë që Letonia shpenzon 232 milionë euro, ndërsa Serbia 530 milionë lekë ose 35-fish më shumë se Shqipëria.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Inflacioni na “fshiu” thuajse një pagë mujore/ Zbriti mbi 3600 lekë çdo muaj nga paga, zbuloni sektorët më të prekur

Postimi mëparshëm

Shteti apo privati, cili e amortizoi krizën? Në privat pagat u rritën dy herë më shumë se në shtet

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.