Referuar të dhënave të publikuara nga “Banka e Shqipërisë” për “Huatë për individët sipas rrethit dhe qëllimit të përdorimit”, në tremujorin e katërt të vitit 2023 totali i huave arriti vlerën e 272 miliardë lekëve. Krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë konstatohet një rritje me 9.2% ose 22.4 miliardë lekë më shumë.
Huatë për individë sipas rrethit, krahasuar me të njëtën periudhë të një viti më parë, rezultojnë me rritje për të gjitha rrethet e përfshira në raport. Sipas të dhënave, rrethi i Tiranës shënon rritjen më të madhe për sa i përket huave, ku në vlerë nominale kjo rritje është 11.4% ose e shprehur në vlerë monetare do të ishte rreth 22 miliardë lekë. Totali i huave që gëzon rrethi i Tiranës për tremujorin e katërt të 2023, është në nivelin e rreth 180 mld lekë.
Rritje të konsiderueshme kanë shfaqur edhe rrethet si ai i Vlorës dhe Korçës, ku rritja në totalin e huave fiksohet në 9.4% dhe 8.9% respektivisht. Ndërkohë, rritja në rrethin e Durrësit në tremujorin e katërt të vitit 2023 ka qenë vetëm 3.1%. Nga ana tjetër, për rrethet si Lezha dhe Shkodra, rritja në totalin e huave për tremujorin e katërt përllogaritet në 2% dhe 5% respektivisht.
Huatë për individë sipas qëllimit ndahen mes tre kategorive, ku dy prej tyre janë huaja konsumatore dhe huaja për blerje banesash. Këto dy kategori renditen si kryesoret mes huave që individët kërkojnë dhe marrin pranë bankave. Nëse analizojmë huanë për blerje banesash ajo rezulton me ritme rritëse në çdo rreth përjashtuar rrethin e Shkodrës dhe atë të Durrësit ku konstatohet një rënie me 4.4% dhe 5.7% respektivisht. Nëse ndalemi tek huatë për blerje banesash, vihet re që ritmet e rritjes së saj janë mbi ato të huasë për atë rreth. Pra në rast se portofoli i huasë në Tiranë për individët është rritur me 11% , huaja për blerje banese është rritur me 12%. Ky rreth renditet edhe si rrethi me rritjen më të lartë të rritjes së huasë për blerje banese, më pas ndjekin Korça, Fieri dhe Lezha me rritje nga 2% në 3%.
Sa i përket huasë konsumatore, kjo kategori ka qenë më e lartë në rrethin e Durrësit dhe atë të Shkodrës ku individët kanë rritur kërkesën për hua konsumatore dhe kanë ulur atë për hua për blerje banese.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments