Financë

Depozitat në rënie për të 3-tin muaj radhazi/ “Digjen” 370 milionë euro që prej janarit. Bie edhe paraja e “gatshme”

0

Depozitat në paranë e gjerë regjistrohen në rënie për të tretin muaj me radhë, tregojnë të dhënat e Bankës së Shqipërisë, që i referohen muajit prill të këtij viti. Sipas këtyre shifrave, totali i depozitave në paranë e gjerë për prillin fiksohet pranë 1.25 trilionë lekëve, nga 1.27 trilionë që ishte kjo shifër në marsin e këtij viti. Hera e fundit që depozitat binin për tre muaj me radhë ka qenë vitit 2019, gjatë periduhës mars-prill-maj, por në nivele ndjeshëm më të ulta se ky vit.

Që nga muaji Janar, periudha e fundit me depozitat në paranë e gjerë në rritje, janë “djegur” plot 40.7 miliardë lekë, ose rreth 370 milionë euro depozita. Gjatë prillit depozitat kanë rënë me 1.1%, në mars me 0.9% dhe në shkurt me 1.2%.

Sa i takon depozitave në lekë, shifrat tregojnë se kanë zbritur pranë 543 miliardë lekëve gjatë prillit, nga 549 miliardë lekë që ishin gjatë muajit mars, ndërkohë që ato në valutë kanë zbritur pranë 711 miliardë lekëve, nga 719 miliardë lekë që ishin gjatë muajit pararendës. Për këto të fundit efekt mund të ketë dhënë edhe kursi i këmbimit, duke qenë se depozitat në valutë shprehen në lekë për arsye statistikore.

Nga ana tjetër, shifrat e agregatëve monetarë flasin për rënie në tërësi të parasë në qarkullim. Agregati M1, që mat paranë jashtë bankave dhe llogaritë rrjedhëse e ato pa afat, pra paranë me likuiditet të lartë, ose paranë e “gatshme” ka rënë pranë 591 miliardë lekëve, nga 613 miliardë lekë që ishte ky tregues në muajin mars. Në rënie janë edhe agregatët M1, M2, dhe M3 që tregojnë ofertën e parasë në qarkullim. Por, nga krahu tjetër, pas tre muajsh në rënie është rritur treguesi i parasë jashtë sistemit, pra parasë që qëndron jashtë bankave. Këto të fundit fiksohen në 385 miliardë lekë, nga 382 miliardë që ishin në muajin mars.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Euro “zhyt” edhe kreditimin/ Huaja e re bie në prill, për biznesin dhe për individët

Postimi mëparshëm

Më shumë leje, por më pak sipërfaqe ndërtimi/ Durrësi regjistron numrin më të lartë, vetëm katër qarqe kontribuan në rritjen e përgjithshme

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.