Raporte

Liria e shprehjes, Shqipëria e 71-ta në botë/ Përkeqësohet krahasuar me vitin 2017-të, renditet e parafundit në rajon

0

Shqipëria është renditur në vend të 71 mes 161 vendeve në total në Indeksin Global të Lirisë së Shprehjes për vitin 2023 (The Global Expression Report). Sipas raportit nga Organizata Britanike për të Drejtat e Njeriut, “Article 19”, Shqipëria pozicionohet ekzaktësisht në mes të renditjes, pra mes vendeve të cilat janë disi të kufizuara sa i përket lirisë së shpehjes.

Raporti Global i Shprehjes (GxR) është një vështrim vjetor i të drejtës për shprehje të lirë dhe informacion në të gjithë botën. Metrika e tij gjurmon lirinë e shprehjes në 161 vende nëpërmjet 25 treguesve për të krijuar një rezultat midis 0 deri në 100 për çdo vend, ku me 100 vlerësohen vendet me liri të lartë të shprehjes dhe me 0 vendet ekstremisht të kufizura.

Në këtë raport Shqipëria për vitin 2023 ka grumbulluar gjithsej 63 pikë. Krahasuar me rajonin renditemi në vend të parafundit duke lënë pas vetëm Serbinë, e cila është e pozicionuar në vend të 83-të dhe e fundit në rajon. Pozitat më të mira në rajon i ka Mali i Zi në vend të 56-të, pasuar nga Kosova në vend të 65-të dhe Bosnje Hercegovina në vend të 66-të. Ndërkohë, Maqedonia e Veriut në këtë indeks është pozicionuar në vend të 69-të.

Danimarka dhe Suedia renditen të parat në këtë raport sa i përket lirisë së shprehjes, ndërkohë që në vend të fundit gjejmë shtete si Koreja e Veriut dhe Siria.

Sipas raportit, në mbarë globin, rreth 80% e popullsisë kanë më pak liri të shprehjes se sa kishim një dekadë më parë. Kjo shifër flet për më shumë se 6 miliardë njerëz në më shumë se 80 vende. Sipas kurbës së raportit për vendin tonë shihet se liria e shprehjes është përkeqësuar më rreth 8 pikë nga viti 2017-të deri në vitin 2023.

Raporti Global i Shprehjes, 2023

Raporti Global i Shprehjes, 2023

Për të parë raportin e plotë klikoni këtu

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Riciklimi, Shqipëria ndër të fundit në Europë/ Vetëm 18.7% e mbetjeve janë ricikluar, mesatarja e BE-së për vitin 2021 në 50%

Postimi mëparshëm

7 në 10 biznese shqiptare, “në hall” për IT/ Eurostat: Kemi normën më të lartë në rajon dhe ndër të parat në Europë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.