Mjedisi

Riciklimi, Shqipëria ndër të fundit në Europë/ Vetëm 18.7% e mbetjeve janë ricikluar, mesatarja e BE-së për vitin 2021 në 50%

0

Administrimi i mbetjeve urbane në raport më sasinë e tyre ka qenë dhe vazhdon të mbetet diskutim sa i përket efiçencës së proceseve të eleminimit të tyre. Sipas “Institutit të Statistikave” gjatë vitit 2021 janë menaxhuar në total 875,105 mijë tonë mbetje urbane ose ndryshe janë menaxhuar 311 kg për banorë dhe pjesa më e madhe janë depozituar në landfille. Referuar studimeve dhe përvojës së shumë vendeve landfillet dhe incenerimi, i cili ka një peshë shumë të ulët në eleminimin e mbetjeve pavarësisht kostove, sjellin dëme të mëdha për shëndetin e popullsisë. Në këtë drejtim, riciklimi është mënyra më efektive për të ulur kostot e trajtimit të mbeturinave dhe për të zhvilluar një degë fitimprurëse të ekonomisë siç është ajo e burimeve të ricikluara.

Por sa përqind të mbetjeve në Shqipëri shkon për riciklim? Sipas “Agjencisë Europiane të Statistikave” jemi ndër vendet me normën më të ulët të mbetjeve të ricikluara. Gjatë vitit 2021 vetëm 18.7% e mbetjeve urbane kanë shkuar për riciklim, ndërkohë sipas INSTAT rreth 79% janë depozituar nëpër landfille ose fusha mbetjesh të miratuara si depozita të përkohshme nga bashkitë përkatëse. Ndërkohë, mbetjet e trajtuara me djegie ose e njohur ndryshe si incenerim zënë vetëm 2% të mbetjeve të menaxhuara gjithsej.

Ky tregues e pozicionon Shqipërinë mes shtatë vendeve me normën më të ulët të mbetjve të ricikluara, por ndërkohë jemi më mirë se vendet e rajonit. Sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2021, mesatarja e Bashkimit Europian është 49.6%. Pra, në vendet e BE-së riciklohen pothuaj gjysma e mbetjeve urbane. Vendi me normën me të lartë është Gjermania me 71.1%, pasuar nga Sllovenia me 60% dhe Holanda me 57.8%.

Sa i përket krahasimit me rajonin Shqipëria kryeson. Pas Shqipërisë vjen Mali i Zi me 4.7% dhe Maqedonia e Veriut e Kosova me nga 0.0% secila. Për Serbinë dhe Bosnje Hercegovinën nuk ka të dhëna për vititn 2021, por nëse i referohemi vitit 2020 përsëri kryeson Shqipëria me normën më të lartë të eleminimit të mbetjeve me riciklim.

Nisur nga shifrat e “Institutit të Statistikave” Shqipëria ka shënuar një rritje të shkallës së riciklimit të mbetjeve urbane, por nuk ka tejkaluar vitin 2015-të, i cili e regjistron këtë tregues në 25.3%. Rikujtojmë se zvogëlimi i ndjeshëm i prodhimit të mbetjeve përmes parandalimit, zvogëlimit, riciklimit dhe ripërdorimit është ndër objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm dhe sipas Instat, Shqipëria është afruar pjesërsht me objektivat e vendosura nga OKB-ja.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Inflacioni, pranë 4.5% në qershor/ I rikthehet trajektores rënëse pas rritjes në Maj, por ushqimet vijojnë me rritje dyshifrore

Postimi mëparshëm

Liria e shprehjes, Shqipëria e 71-ta në botë/ Përkeqësohet krahasuar me vitin 2017-të, renditet e parafundit në rajon

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.