Tregti

Instat thotë se konsumi është rritur/ Shitjet me pakicë, 6.4% më të larta se vjet, edhe karburantet me rritje

0

Të dhënat e “Institutit të Statistikave” flasin për rritje të shitjeve në tregtinë me pakicë përgjatë tremujorit të dytë të vitit 2022. Indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë është 117.5 dhe rritja regjistrohet në 6.1%, krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë. Edhe në terma tremujorësh, volumi i shitjeve me pakicë shihet të ketë pësuar rritje me 0.5% gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, kahasuar me tremujorin e parë të vitit 2022. Pavarësisht rritjes vjetore dhe tremujore, ndryshimi mujor i indeksit të shitjeve në tregtinë me pakicë paraqitet negativ. Volumi i shitjeve nga muaji maj 2022 në muajin qershor të po këtij viti ka pësuar rënie me 1.4%.

Në tregtinë me pakicë, pa përfshirë këtu tregtinë me pakicë të hidrokarbureve, volumi i shitjeve në tremujorin e dytë të vitit 2022 është rritur me 6.4%, krahasuar me një vit më parë. Në grupin “Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”, volumi i shitjeve është rritur 4,8%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2021. Nga ana tjetër volumi i shitjeve për grupin “Artikuj jo-ushqimorë në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara” është rritur 7.5%, kundrejt të njëjtës periudhë të vitit paraardhës. Në grupin “Tregti hidrokarbure në njësi tregtare të specializuara” volumi i shitjeve është rritur me 5.2%. Sa i përket ndryshimit tremujor të shitjeve, përshtatur sezonalisht, në grupin “Tregti me pakicë, pa përfshirë tregtinë me pakicë të hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara” është rritur me 0,2%, krahasuar me tremujorin paraardhës. Në grupin “Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”, volumi i shitjeve, përshtatur sezonalisht është rritur me 0,9% krahasuar me tremujorin paraardhës. Në grupin “Tregti me pakicë hidrokarbure në njësi tregtare të specializuara“ volumi i shitjeve i përshtatur sezonalisht është rritur me 1,2%, kundrejt tremujorit të parë 2022.

Edhe pse në terma vjetorë dhe tremujorë të dhënat tregojnë se volumi i shitjeve të hidrokarbureve paraqitet me rritje, nga ana tjetër në terma mujorë shohim rënie. Gjatë muajit qershor volumi i hidrokarbureve ka rënë me 1% krahasuar me majin. Rënie e volumit të shitjeve për hidrokarburet regjistrohet edhe gjatë muajit maj, krahasuar me muajin prill me 3.9%. Ky ndryshim negativ në konsumin e karburantit është padyshim reflektim i rritjes së çmimeve gjatë muajve të fundit.

Por cilat janë grupet të cilat kanë ndikuar në tregtinë më pakicë? Në ndryshimin vjetor të regjistruar prej 6.1%, ndikimin më të madh e ka patur “Artikuj jo-ushqimore në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara” me 3.1 pikë përqindje. Grupet “Tregti me pakicë e hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara” dhe “Ushqime, pije e duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara” shihet të kenë dhënë të njejtin kontribut me 1.5 pikë përqidnje secila.

Të dhënat e INSTAT mbi tregtinë me pakicë ngrenë disa pikëpyetje, duke qenë se sipas vetë Institutit të Statistikave, importet kanë rënë në volum. Pra, kemi importuar më pak se një vit më parë, por kemi konsumuar më shumë. Dhe ky paradoks nuk justifikohet me rritjen e prodhimit vendas, duke qenë se në shumë sektorë, Shqipëria është e varur nga importi, si ai i karburanteve, 100% i varur nga importi. Madje, edhe për karburantet, shifrat e instat për tregtinë me pakicë flasin për rritje të konsumit, ndërkohë që importi i karburanteve ka rënë.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Laboratoret private, fitime kolosale në pandemi/ Rrisin xhiron me 400% dhe fitimet me 849%. “Genius” kalon “Intermedica”

Postimi mëparshëm

“Kush e mban” shtetin? Pesha e zëravë në të ardhurat buxhetore, TVSH zë 1/3-tën

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.