EkonomiTregjet

“Tregu i librit”, vetëm 13 milionë euro xhiro në vit/ Fitimet më pak se 2 milionë euro. Analiza e 40 shtëpive botuese, cila kryeson?

0

Nga data 16, deri me 22 nëntor, në kryeqytet rikthehet tradita e panairit të librit ku shtëpi të ndryshme botuese kanë mundësinë të sjellin më afër lexuesve larminë e titujve dhe autorëve të rinj dhe ekzistues, si dhe të rikthejnë disi fokusin te libri.

Nisur nga kjo, por edhe në vijim të analizave të performancës së sektorëve të ndryshëm të ekonomisë në vend, “Scan Intel” i rikthehet tregut të shtëpive botuese.

Ne do të ndalemi në ecurinë e këtij tregu për vitin 2021, për të parë se sa vlen ky treg, cila nga shtëpitë botuese ka performuar më mirë në lidhje me xhiron vjetore, pra shitjen e librave përgjatë vitit, si dhe në lidhje me fitimet neto në fund të tij. Në analizë janë marrë gjithsej 40 shtëpi botuese ku në krahasim me vitin 2020 vihet re që ky treg ka pësuar rritje. Në filtër kanë kaluar pjesa dërrmuese e shtëpive botuese, por disa prej tyre nuk janë pjesë e shifrave pasi nuk kanë dorëzuar pasqyrat financiare për vitin e fundit. Për 40 kompanitë, të ardhurat nga aktiviteti janë rritur me 13.92%, ndërsa fitimi neto është rritur me 25.87%.

Sipas përllogaritjeve, ky treg përgjatë 2021-shit ka qakulluar një xhiro totale rreth 1.6 mld, ose rreth 13.7 milionë euro, ndërkohë që një vit më parë llogaritej përafërsisht pranë 1.4 mld lekëve. Për vitin 2020 shtëpia botuese “Pegi” renditej e para qoftë për treguesin e xhiros vjetore dhe për treguesin e fitimit neto, por për vitin 2021 për xhiron vjetore tregu kryesohet nga shtëpia botuese “Albas”, me 253.5 mln lekë. Shtëpia botuese “Albas” ndiqet nga “Ideart” me 179,6 mln lekë, “Pegi” ka kaluar në vend të tretë me 141.5 mln lekë, si dhe shtëpia botuese “Shtëpia botuese Zambaku” dhe “UEGEN” në vend të katërt dhe të pestë.

Pjesa më e madhe e shtëpive botuese të marra në analizë kanë pësuar rritje të fitimit neto nga 2020, në vitin 2021, për një total prej 227.4 mln lekësh ose 1.9 mln euro, dhe vetëm 6 nga 40 shtëpitë botuese kanë pasur fitim neto negativ, duke raportuar një humbje prej rreth 8.9 mln lekësh ose 75 mijë euro. Janë rreth 21 shtëpi botuese që kanë përjetuar rritje të fitimit neto përgjatë vitit 2021, të tilla si shtëpia botuese “Maluka”, “Albas”, “Dituria”, apo edhe “Librari Pema” me mbi 100% nga viti 2020. Ndërsa 19 shtëpitë e tjera botuese kanë përjetuar rënie të fitimit neto, ku dallojmë “Expo Vision Albania”, “Alb-Tipografia”, “Europrint”, “Cabej” me mbi 100% rënie.

Sipas të dhënave nga “Qendra Kombëtare e Biznesit”, fitimi më i lartë neto është regjistruar për shtëpinë botuese “Ideart”, me 64,8 mln lekë, ndjekur nga “Shtëpia botuese Zambaku” me 32.9 mln lekë, “Media Print” 23.7 mln lekë, “GENT-GRAFIK” 19.8 mln lekë, dhe “Albas” me 18.4 mln lekë.

Ndonëse interpretimi i të dhënave financiare për tregun e shtëpive botuese për vitin 2021 duket të jetë optimist, kjo nuk do të thotë që edhe marrëdhënia e lexuesit me librat ka qënë në rritje. Të dhënat e fundit zyrtare nga INSTAT në lidhje me leximin nuk janë përditësuar që në vitin 2018, kur rezultonte që rreth 1 milion shqiptarë nuk kishin lexuar asnjë libër në harkun kohor të një viti. Performanca financiare në rritje tregon optimizëm në shitjen dhe tregtimin e librave, por jo detyrimisht që edhe shqiptarët që kanë zgjedhur t’i drejtohen librit kanë qenë në rritje. Nga ana tjetër, totali i tregut, me një qarkullim prej rreth 13 milionë eurosh në vit, flet për një “industri” libri mjaft të vogël në vendin tonë.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Shtatori, rekord turistësh në pesë vitet e fundit/ 39.7% më shumë krahasuar me një vit më parë, rriten edhe netë qëndrimet

Postimi mëparshëm

Në jug të Shqipërisë, jeta është më e shkurtër/ EUROSTAT: 7 vite më e shkurtër se në BE, ndërsa në qendër dhe veri jetohet më gjatë. Femrat kanë në “dispozicion” 4 vite më shumë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.