Tregjet

Shqiptarët, gjithmonë e më shumë “high-tech”/ Importi i pajisjeve elektronike dhe elektroshtëpiake u rrit me 21% në 2021-shin, mbi 270 milionë euro treg

0

Tregu i pajisjeve elektronike dhe i elektroshtëpiakeve në vendin tonë po rritet me hapa të qendrueshëm, tregojnë disa të dhëna shtesë të siguruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. “Scan Intel” i ka analizuar këto shifra, të cilat sinjalizojnë një import prej rreth 32.2 miliardë lekëve në total gjatë vitit 2021, ose rreth 270 milionë euro. Ky total përfshin të gjitha pajisjet elektroshtëpiake, telefoninë dhe pajisjet elektronike dhe i referohet vetëm importit. Pra, nuk është i indeksuar sipas vlerës në treg, duke qenë se kostos së blerjes së produkteve bashkë me taksat, i duhen shtuar edhe shpenzimet operative, si dhe marzhi i fitimit.

Por, pavarësisht kësaj, këto shifra tregojnë një tendencë të qartë rritje nga viti në vit. Përgjatë vitit 2020, vitit të pandemisë, importi i këtyre pajisjeve fiksohej pranë 26.7 miliardë lekëve në total, ose rreth 226 milionë euro, çka sinjalizon një rritje me rreth 44 milionë euro nga viti 2020, në vitin 2021. Madje, viti i pandemisë duket se nuk ka sjellë ngadalësim të tregut të pajisjeve elektronike dhe elektroshtëpiake, siç ndodhi me pjesën dërrmuese të sektorëve të ekonomisë në vendin tonë. Gjatë vitit 2020, importi i këtyre pajisjeve u regjistrua me rritje krahasuar me vitin paraarendës, atë 2019, ku totali fiksohej pranë 26.4 miliardë lekëve, ose rreth 223 milionë eurove.

Në terma nominalë ndërkohë, shifrat tregojnë se gjatë vitit 2021, rritja fiksohet pranë 21% krahasuar me vitin paraarendës, dhe në rreth 22.4% krahasuar me vitin 2019, atë para pandemisë. Rritjen më të madhe e regjistrojnë “pajisjet elektronike”, me 64% më shumë importe krahasuar me vitin 2020, ndjekur nga kondicionerët, me 31% rritje, dhe pajisjet elektroshtëpiake me 27% rritje.

Shifrat sinjalizojnë gjithashtu një rënie të tregut të telefonave, me 12% gjatë vitit 2021, krahasuar me vitin 2020. Bëhet fjalë për rreth 6 miliardë lekë, ose rreth 50 milionë euro importe të pajisjeve të telefonisë dhe smartphonëve gjatë vitit 2021, ndërkohë që në 2020-tën, importet e këtyre pajisjeve fiksoheshin pranë rreth 6.9 miliardë lekëve. Me pandeminë duket se ka kulmuar kërkesa për telefona celularë në vendin tonë, në rritje me 17% krahasuar me vitin 2019-të.

Shifrat sinjalizojnë kështu se shqiptarët po e përqafojnë gjithmonë e më shumë teknologjinë, dhe në këtë zgjerim të ndjeshëm të tregut, me rreth 21% vetëm gjatë vitit të kaluar, ka pasur ndikim edhe vrulli i tregut imobiliar, që jep efekt zinxhir edhe në shumë tregje të tjera, përfshirë atë të pajisjeve elektronike dhe elektroshtëpiake.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Plakja e popullsisë përshpejton hapin/ Bie numri i lindjeve me 19.6%, gjysma e qarqeve regjistron shtesë natyrore negative

Postimi mëparshëm

Ku i bëjnë pushimet shqiptarët? Në dimër në Korçë, në verë në Vlorë. Jashtë zgjedhin Malin e Zi

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.