Tregjet

Analiza e tregut të kafesë/ 13 kompani xhirojnë 30 milionë euro në vit, rritën fitimet me 52% në 2021-shin

0

Në kuadër të analizës së tregjeve, këtë herë “Scan Intel” është ndalur te tregu i kafes në vendin tonë, duke marrë në analizë disa prej kompanive më të mëdha që operojnë. Kompanitë e marra në analizë nuk përfaqësojnë 100% të tregut, për shkak se është një sektor që funksionon nëpërmjet distributorëve, dhe jo gjithmonë me ekskluzivitet. Gjithsesi, analiza përfshin pjesën dërrmuese të markave që qarkullojnë më shumë në Shqipëri, sidomos nëpër bare e zyra, pra aty ku konsumohet më shumë.

Nga analiza rezulton se për vitin 2021, totali i të ardhurave për 13 kompanitë  fiksohet pranë 3.5 miliardë lekëve, ose rreth 30 milionë euro. Gjatë vitit 2020, që përkon edhe me vitin e pandemisë, totali i të ardhurave për 13-të kompanitë fiksohej pranë 3 miliardë lekëve, ose rreth 25 milionë euro. Pra, në harkun e një viti, xhiro e tregut në fjalë është rritur me plot 17%. Edhe më me `ngjyra` ndërkohë duket bilanci i këtij tregu sipas fitimeve. Gjatë vitit 2021, totali i fitimeve për të 13-të kompanitë fiksohet pranë 459 milionë lekëve, ose rreth 3.9 milionë euro, ndërkohë që në vitin 2020, fitimet në total ishin 301 milionë lekë, ose 2.55 milionë euro. Pra, në harkun e një viti, fitimet e kompanive të marra në analizë nga ky treg janë rritur me plot 52.5%.

Edhe marzhet e fitimit, pas taksave kanë regjistruar një rritje domethënëse. Për vitin e fundit me të dhëna në dispozicion, norma marxhinale e fitimit fiksohet pranë 13%, ndërkohë që gjatë vitit të kaluar kjo normë raportohej në vetëm 10%, referuar bilanceve të vetë kompanive, të dorëzuara në QKB.

Tani le të kalojmë te analiza sipas kompanive, kush kryeson listën, me të ardhura apo fitime, kush është rritur më shumë e kush më pak, etj.

Për vitin 2021, referuar të ardhurave, pra xhiros vjetore, në vend të parë të listës, si kompania që kryeson tregun gjejmë të listuar “Mullirin e Vjetër”, me rreth 1 miliardë lekë. Kjo kompani përfaqëson rreth 29% të tregut, të paktën mes 13 kompanive të marra në analizë. Edhe gjatë vitit 2020, kompania mbante vendin e parë, paçka se me fitime ndjeshëm më të ulta, pranë rreth 771 milionë lekëve. Në harkun e një viti, xhiro vjetore e “Mullirit të Vjetër” është rritur me plot 30%. Sa i përket normave marxhinale të fitimit për kompaninë, ato fiksohen pranë rreth 9.8%. Në vend të dytë sa i përket klasifikimit të kompanive që operojnë në tregun e kafes për nga qarkullimi gjejmë të pozicionuar “Pascuccin”, me rreth 824 milionë lekë. Në vitin 2020 kompania renditej po ashtu në vend të dytë, ndërkohë që ka rritur të ardhurat me plot 21%. Norma marxhinale e fitimit për vitin 2021 ndërkohë fiksohet pranë 19.6%. Në vend të tretë gjejmë të pozicionuar, ashtu si një vit më parë “New century” ose “Ama Caffe”. Kompania raporton rreth 560 milionë lekë të ardhura për vitin 2021, që përfaqëson rreth 14.4% të tregut. Norma marxhinale e fitimit për kompaninë fiksohet pranë rreth 22%.

Në vend të 4-tët pozicionohet “Valtelina”, e cila përfaqëson “Lori Caffe”, me 374 milionë lekë të ardhura për 2021-shin. Krahasuar me vitin paraardhës, të ardhurat e “Lori Caffe” raportohen të pandryshuara, thuajse zero.

Renditja e kompanive sipas të ardhurave vijon më pas me distributorët e kafes “Poli`s”, “Lavazza”, “Mokador”, “Dua Caffe”, “Illy”, etj.

Po sa i përket fitimeve, si ndryshon ky klasifikim? Në vend të parë gjejmë pikërisht “Pascuccin”, kompaninë e cila raporton marzhe fitimi pas taksave pranë rreth 20%. Fitimet në total për “Pascuccin” fiksohen pranë rreth 161 milionë lekëve për vitin 2021, ose rreth 46.6% të fitimeve neto të të 13 kompanive të marra në analizë. “Pascucci” i ka rrëmbyer vendin e parë sa i përket fitimeve “New Century”-t ose “Ama Caffe”, e cila ka zbritur në vend të dytë, duke raportuar 123 milionë lekë fitime për vitin 2021, diçka më shumë se 1 milionë euro fitime neto. Në vend të tretë ndjek “Mulliri i Vjetër”, ndjekur nga “Valtelina/Lori Caffe”, “T.S.B/Mokador”, “Mondial Trans/POLI`S”, “Food Promotion/ Dua Caffe”, etj. Dy prej kompanive ndërkohë, “Nino Caffe” dhe “Atsh” rezultojnë me humbje për vitin 2021. Nga ana tjetër, ndër 13 kompanitë e marra në analizë, 6 prej tyre raportojnë rënie të fitimeve, krahasuar me vitin 2020.

Në këtë analizë nuk janë përfshirë disa distributor, si ai i “Kimbo-s”, me emrin tregtar “Alta Group” për shkak se tregton edhe shumë produkte të tjera të cilat nuk kanë të bëjnë me biznesin e kafes, apo distributori tjetër i Lavazza-s në vendin tonë, “Marketing & Distribution”, duke qenë se merret me një mori aktivitetesh të tjera, si dhe ai i “Segafredo”, pasi kompania merret edhe me ndërtim. Nga ana tjetër, disa prej kompanive të marra në analizë nuk janë të fokusuara 100% te biznesi i kafes, por mund të ofrojnë edhe shërbime apo mallra të tjera. Por, gjithsesi kanë kafen në qendër të linjës së biznesit të tyre.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Pakësohen paratë, por rriten depozitat/ Më shumë para në banka gjatë shtatorit, por më pak në “gjendje”

Postimi mëparshëm

Më pak prioritet për arsimin, shëndetësinë, ekonominë/ Vëmendje e shtuar për mbrojtjen, analiza ndër vite e shpenzimeve nga buxheti në raport me PBB-në

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.