EkonomiTregjet

Investimet në biznes, niveli më i ulët që nga 2013-ta/ Ndërtimi, sektori me më shumë investime, zë 21% të totalit

0

Të dhënat e fundit nga “Anketa Strukturore pranë Ndërmarrjeve” na sigurojnë informacione të vlefshme mbi nivelin e investimeve të ndërmarrjeve të regjistruara në Regjistrin Statistikor në Shqipëri.

Në vitin 2021 investimet arritën vlerën 174 miliardë lekë duke pësuar një rënie me 10.2%, krahasuar me 194 miliardë lekë në vitin 2020. Ky është niveli më i ulët i investimeve që në vitin 2013 ku vlera e tyre ishte 162 miliardë lekë. Ndërkohë që niveli më i lartë i investimeve ka qënë në vitin 2019, pranë vlerës 241 miliardë lekë ose 28% më shumë krahasuar me investimet e realizuara në vitin 2021. Rënia e investimeve në 2021-shin pranë nivelit më të ulët që prej 2013-ës është rrjedhojë e drejtpërdrejtë e pandemisë.

Prodhuesit e shërbimeve zënë pjesën më të madhe të investimeve të realizuara duke përbërë 53.3% të investimeve gjithsej për 2021. Konkretisht, investimet ndahen mes sektorit të tregtisë që zë 20.1% ose në vlerën 34.96 miliardë lekë, ndiqet nga “akomodimi dhe shërbimi ushqimor” në vlerën 17.75 miliardë lekë ose 10.2% si dhe “transporti, informacioni dhe komunikacioni” në vlerën 15.95 miliardë lekë ose 9.2%.
Nga ana tjetër, prodhuesit e të mirave përbëjnë 46.7% të investimeve gjithsej për 2021. Sektori i ndërtimit përbën 21% ose 36.50 miliardë lekë, duke e bërë këtë sektorin me nivelin më të lartë të investimeve si për prodhuesit e të mirave ashtu edhe të shërbimeve. “Industria përpunuese” përbën 13.2% të investimeve, “energjia elektrike, gazi, uji dhe trajtimi i mbetjeve” në vlerën 17.32 miliardë lekë ose 10% si dhe “industria nxjerrëse” përbën vetëm 2.5% të investimeve ose 4.35 miliardë lekë.

Ndërkohë nëse e shohim shpërndarjen e vlerës së investimeve gjithsej gjatë 2021 sipas madhësisë së ndërmarrjeve, vihet re që ndërmarrjet me mbi 50 të punësuar zënë 45.6% të investimeve ose vlerën 79.34 miliardë lekë, ndiqet nga bizneset me 10-49 të punësuar me 36.7% ose 63.94 miliardë lekë ndërsa ato me 1-9 të punësuar zënë 17.7% ose 30.72 miliardë lekë. Nga këto shifra kuptojmë që pjesa më e madhe e investimeve është realizuar nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si rrjedhojë më pak investime janë reallizuar nga ndërmarrjet mikro.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Tregtia e jashtme e nis vitin mbarë/ Defiçiti zbret në vetëm 16 mld lekë, rekordi më pozitiv në 10 vite

Postimi mëparshëm

Vizitorët dhe netë qëndrimet prekin rekord/ Gjatë vitit që lamë pas, 1.5 milionë vizitorë nëpër hotele, “thyhet” edhe periudha para pandemisë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.