Tregjet

Industria e “Call Center” në Shqipëri/ Gati 200 milionë euro xhiro në vit. Zbuloni kompanitë që dominojnë tregun

0

“Scan Intel” ka analizuar një prej tregjeve më të mëdha në vendin tonë, si në terma të ardhurash, ashtu edhe në terma fitimi, të punësuarish apo konkurrence. Bëhet fjalë për sektorin e “Call center”, dhe që duke parë shifrat duket të ketë më shumë trajtën e një industrie në vendin tonë. Ky sektor ka një konkurrencë të forte, me shumë subjekte që operojnë në të, dhe në këtë analizë përfshihen jo vetëm më të mëdhenjtë, por janë analizuar më shumë se 100 subjekte, për të filtruar 50 më të mëdhenjtë sipas numrit të punonjësve. Nga kjo analizë janë përjashtuar shërbimet e mëdha të klientit të cilët nuk ofrojnë vetëm shërbime telefonike, `inbound` apo `outbound`, por kanë edhe segmente të tjera shërbimi apo prodhimi, si kompanitë e telekomunikacionit që operojnë në vendin tonë, apo edhe kompani të tjera si “Lufthansa Industry Solutions”.

Ky treg, referuar bilanceve të fundit të depozituara në QKB, dhe që i takojnë vitit 2021 raporton plot 21.6 miliardë lekë të ardhura, që përkthehen në plot 190 milionë euro, referuar bilanceve të 50 kompanive më të mëdha që operojnë. Vitin pararendës, atë 2020 këto kompani raportonin 19.9 miliardë lekë xhiro. Kjo do të thotë se në harkun e një viti, të ardhurat e kompanive që operojnë në sektorin “call center” janë rritur me 8.5%. Kjo rritje ka ardhur pavarësisht faktit se në bilancet e vitit 2021 mungon një prej operatorëve më të mëdhenj, “Albacall”, që duket të jetë jashtë tregut, edhe pse në QKB nuk ka asnjë shenjë pezullimi apo likuidimi. “Albacall” në vitin 2020 pozicionohej në vend të dytë sa i përket të ardhurave. Sa i përket fitimeve ndërkohë, këto kompani raportojnë 2.98 miliardë lekë, çka përkthehet në 26 milionë euro fitime neto, pra pas taksave. Në drejtim të fitimeve rritja është ndjeshëm më e lartë se ajo e të ardhurave, pasi në vitin 2020 fitimet e këtyre kompanive fiksoheshin pranë 2.13 miliardë lekëve. Pra, në harkun e një viti, fitimet neto janë rritur me plot 39.9%. Rritja e fitimeve mund të jetë edhe rrjedhojë e uljes së shpenzimeve operative si pasojë e rikonfigurimit që solli pandemia, me aplikimin e punës në distancë nga një pjesë e madhe e operatorëve në treg.

Nga ana tjetër, shifrat tregojnë se ky treg vijon të jetë ndër punëdhënësit më të mëdhenj, me rreth 12 mijë punonjës, pavarësisht vështirësive të viteve të fundit për të rekrutuar burime njerëzore, rrjedhojë e emigrimit të lartë. Nëse shohim shifrat e analizuara nga këto 50 kompani, kuptojmë se, shpenzimet e klasifikuara për personelin, ku veç pagës përfshihen edhe shpërblimet apo sigurimet, janë plot 21.3 miliardë lekë për vitin 2021, çka do të thotë se mes pagës dhe shpërblimeve (sektor që shpërndan shumë bonuse), call center-at paguajnë më shumë se 150 milionë euro paga në vendin tonë.

Tani le të kalojmë te analiza në detaj e tregut, për të kuptuar se cilat kompani udhëheqin. Vendi i parë prej vitesh mbetet i padiskutueshëm, nga “Albania Marketing Service”, e njohur ndryshe si “Teleperformance”, që raporton plot 6.5 miliardë lekë xhiro vjetore, ose rreth 57 milionë euro. Kjo kompani përfaqëson thuajse 1/3-tën e tregut, ose rreth 30% të tij, të paktën mes 50 më të mëdhenjve. Në vend të dytë ndërkohë, pas mungesës së “Albacall” është ngjitur “Assist’, me 2.21 miliardë lekë xhiro për vitin 2021, që përfaqëson 10.2% të totalit. “Comdata Albania” vijon renditjen, duke zënë vendin e tretë, me 1.11 miliardë lekë të ardhura, që përfaqësojnë rreth 5% të tregut. “Prodata” ndjek në vend të 4-tët, me 867 milionë lekë xhiro, që përkthehen në rreth 4% të tregut. Me përjashtim të `daljes` së “Albacall”, 3-4 vendet e para ruajnë të njëjtën renditje. Në vend të 5-të ndërkohë kemi një ripozicionim të ndjeshëm, ku shohim se është ngjitur “Sisal”, me 827 milionë lekë xhiro. Ky operator mbante vendin e 24-tët në vitin 2020 sa i përket të ardhurave vjetore. Në vend të 6-të ndjek “Consulcesi”, duke ruajtur pozita të ngjashme me vitin 2020, me 759 milionë lekë xhiro. Ndjek më tej në renditje “Fiber”, “Bconnect”, “Ëeëeb” dhe “Intercom Data Service”. Këto kompani mbyllin “Top 10” sa i përket atyre me peshën më të madhe në treg sa i përket të ardhurave. Krahasuar me vitin 2020 shohim që vetëm dy kompani kanë dalë nga “top 10”, “Albacall” dhe “parr”. Kjo e fundit renditet në vendin e 11-të për 2021-shin. Këto 10 kompani përfaqësojnë 69% të tregut, sinjalizojnë shifrat e analizuara dhe përpunuara nga “Scan Intel”.

Po sa i përket fitimeve? Në vend të parë renditet sërish “Albania Marketing Service”, e njohur si “Teleperformance”, me fitimet neto në vitin 2020 pranë 1.4 miliardë lekëve, ose rreth 12 milionë euro fitime. Në vend të dytë, njësoj si me xhiron gjejmë sërish “Assist”, me fitimet neto pranë 316 milionë lekëve, ose rreth 2.8 milionë euro fitime. Ndjek më tej në renditje ”Ëe are Fiber”, “Fiber group”, “Ëe ëeb”, “Sisal”, “RL Services”, “Intercom Data Service”, “Bconnect” dhe “Prodata”.

Në total shifrat tregojnë se pavarësisht vështirësive, sidomos ato me burimet njerëzore, ky sektor vijon të zgjerojë të ardhurat dhe fitimet. Nga analiza e kompanive që operojnë në treg vihet re një rritje gjatë dy viteve të fundit e kompanive që kanë pezulluar aktivitetin apo që janë likuiduar, por nga ana tjetër vihet re gjithashtu se kompani të tjera vijojnë të hyjnë në treg, sidomos përtej tregut Italian dhe italishtes.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Sa zgjat një gjyq në Shqipëri? Për gjykimin civil mesatarisht 6 vjet, për gjykim administrativ deri në 13 vite. Krahasimi me Europën

Postimi mëparshëm

Minorenët e punësuar, 84% në bujqësi/ 15-17 vjeçarët, 1 në 10 është në tregun e punës

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.