Emigracioni

Emigrantët sjellin një pagë shtesë në muaj/ Rekord këtë vit me remitancat, 320 euro mesatarisht për çdo familje, 376 mln euro në 6 muaj

0

Emigrantët kanë dërguar rreth 192 milionë euro ndaj të afërmve të tyre në Shqipëri gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, tregojnë shifrat zyrtare nga Banka e Shqipërisë. “Scan Intel” ka analizuar këto shiofra, edhe për 6-mujorin e parë të vitit, dhe situata rezulton e njëjtë. Për periudhën janar-qershor të këtij viti, remitancat fiksohen në 376 milionë euro, që është gjithashtu niveli më i lartë që prej vitit 2010. Kujtojmë se përpara krizës financiare globale të më shumë se një dekade më parë, remitancat ishin në nivele relativisht të larta, ndërkohë që pas krizës u vu re një rënie e ndjeshme e tyre.

Por, me ardhjen e një krize tjetër, si pandemia, remitancat u rikthyen pranë nivele të para vitit 2010, kryesisht si rrjedhojë e nevojës për financim për shëndetin nga familjet shqiptare. Tendenca ndërkohë ka vijuar edhe me krizën aktuale të çmimeve, ku pavarësisht faktit se edhe në vendet e tjera të botës është vënë re një rënie e ndjeshme e fuqisë blerëse, remitancat nuk janë tkurrur, përkundrazi.

Gjatë 6 muajve të parë të këtij viti, emigrantët kanë sjellë në Shqipoëri rreth 37 milionë euro më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë, çka konfrimon kështu nevojën e lartë për likuiditet të familjeve shqiptare, edhe pse emigrantët gjenden vetë në vështirësi.

Një arsye tjetër që mund të shpjegojë rritjen e ndjeshme të remitancave, sidomos me pandeminë, është edhe kanalizimi i tyre drejt kanaleve formale të dërgesave të parave, që mund të ketë sjellë edhe “fryrjen” e shifrave.

“Scan Intel” e ka analizuar efektin e remitancave edhe në buxhetin e familjeve, për të kuptuar përmasat e ndihmës që na vjen nga emigrantët. Shifrat tregojnë se në muaj, mesatarisht, këtë vit emigrantët kanë dërguar rreth 62 milionë euro. Në total janë rreth 768 mijë familje në të gjithë vendin, por jo të gjitha janë marrëse të remitancave. Sipas një publikimi të Bankës së Shqipërisë në vitin 2021, i kryer në formën e një ankete, rezulton se vetëm 25.5% e familjeve janë marrëse, pra rreth 1 në 4. Kështu, nga kjo shifër deduktojmë se këtë vit, familjet marrëse të remitancave kanë marrë mesatarisht çdo muaj rreth 320 euro ndihmë nga të afërmit e tyre jashtë. Kjo shifër është e barabartë me 80% të pagës mesatare neto mujore në vend.

“Scan Intel” e ka analizuar këtë shifër edhe ndër vite, për të kuptuar se si është rritur mbështetja financiare nga emigrantët për familjet shqiptare. Nga shifrat shohim se, ndërkohë që në 6 muajt e parë të këtij viti ndihma financiare nga emigrantët fiksohet mesatarisht në 320 euro për familje, në vitin 2021 fiksohej pranë 288 eurove në muaj, dhe në 2020-tën pranë vetëm 231 eurove, duke qenë se bëhej fjalë për periudhën e bllokimit të madh të pandemisë. Në vitet paraardhëse ndërkohë, shifra varion mes 256 dhe 285 eurove në muaj.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Turistët, rekord shpenzimesh në Shqipëri/ 1.1 mld euro 6 muajt e parë të vitit, dy herë mbi mesataren historike, 442 euro për frymë

Postimi mëparshëm

Laboratoret private, fitime kolosale në pandemi/ Rrisin xhiron me 400% dhe fitimet me 849%. “Genius” kalon “Intermedica”

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.