EkonomiTregjet

Bizneset, €2.3 mld fitime në 2021-shin/ €670 milionë më shumë se 5 vite më parë, por pesha e sektorëve në “tortën” e fitimeve nuk ka ndryshuar

0

Të dhënat e fundit nga “Anketa Strukturore pranë Ndërmarrjeve” na sigurojnë një panoramë interesante mbi strukturën ekonomike, financiare dhe karakteristikat kryesore të ndërmarrjeve të regjistruara në Regjistrin Statistikor për vitin 2021 në Shqipëri.

Sipas të dhënave, numri i ndërmarrjeve ekonomike aktive për vitin 2021, ka qënë 104’031, duke shënuar një rritje me 1.4% krahasuar me vitin 2020. Nga ndërmarrjet në total, 13.2% janë ndërmarrje të prodhuesve të të mirave, dhe 86.6% të prodhuesve të shërbimeve. Krahasuar me pesë vitet e fundit, pesha në përqindje mes prodhuesve të të mirave dhe shërbimeve ka qënë e qëndrueshme dhe ndryshimet nga viti në vit kanë qënë të papërfillshme. Në sektorin e shërbimeve, ndërmarrjet që ushtrojnë aktivitet tregtar kanë zënë përqindjen më të lartë të numrit të ndërmarrjeve, me 38.3% ndërsa “transporti, informacioni dhe komunikacioni” zë numrin më të vogël me vetëm 8.4%. Në sektorin e prodhimit të të mirave, “ndërtimi” zë përqindjen më të lartë të numrit të ndërmarrjeve, me 4.8%, teksa “industria nxjerrëse” dhe “energjia elektrike, uji, gazi dhe trajtimi i mbetjeve” zënë nga 0.7% secila.

Përveç numrit të ndërmmarjeve që kanë qënë aktive gjatë 2021-shit, një tjetër tregues i rëndësishëm i aktivitetit ekonomik është edhe se sa individë janë punësuar nga këto ndërmarrje. Sipas shifrave zyrtare, numri i të punësuarve gjithsej është rritur me 15’254 të punësuar, ose 3.0 %, krahasuar me vitin 2020. Nga të punësuarit, 64% janë të punësuar në sektorin e shërbimeve, ndërsa prodhuesit e të mirave zënë 36%. Referuar të dhënave të gjashtë viteve të fundit, viti 2019 përbën numrin më të lartë të të punësuarve, 11’613 më shumë se viti 2021 ose 2%. Vetëm në vitin 2020 pati një rënie me 26’867 më pak të punësuar, ose 5% krahasuar me vitin 2019.

Një tjetër tregues i rëndësishëm financiar i ndërmarrjeve aktive gjatë 2021-shit lidhet me shitjet neto. Në vitin 2021 shitjet neto arritën vlerën 2.652 miliardë lekë ose 2.3 miliardë euro, duke shënuar një rritje prej 23.5% ndaj vitit 2020. Kjo shënon rritjen më të madhe krahasuar me pesë vitet e fundit, dhe nëse e krahasojmë me shitjet neto të vitit 2016-të, kemi të bëjmë me një rritje prej 770 milionë lekësh ose 670 mln euro. Në rritjen prej 23.5 % sektori i Tregtisë dhe sektori i Energjisë Elektrike kanë kontribuar përkatësisht me 9.1 pikë përqindje dhe 3.7 pikë përqindje të shitjeve gjithsej. Më pak ka kontribuar “akomodimi dhe shërbimi ushqimor” dhe “industria nxjerrëse” me 0.8 pikë përqindje dhe 1.1 pikë përqindje.

Prodhuesit e shërbimeve zënë pjesën më të madhe të shitjeve neto të realizuara, duke përbërë 65.1% të shitjeve gjithsej. Sektori i tregtisë ka kontribuar pjesën më të madhe me rreth 1.7 miliardë lekë ose 46.3%, “transporti, infomacioni dhe komunikacioni” ka bërë rreth 187 milionë lekë shitje neto (7.1%), ndiqet nga “akomodimi dhe shërbimi ushqimor” me 68 milionë lekë ose 2.6%.

Prodhuesit e të mirave zënë 34.9% të shitjeve neto të realizuara ose në vlerën 926 milionë lekë. Shitjet neto të prodhuesve të të mirave ndahen mes “industrisë përpunuese” që përbën 12% ose 318 milionë lekë, ndiqet nga ndërtimi me 11.8% ose 312 milionë lekë, “energjia elektrike, gazi, uji dhe trajtimi I mbetjeve” zë 8.4% ose 222 milionë lekë dhe pjesën më të vogël të shitjeve e zë “industria nxjerrëse” me vetëm 2.8% ose 73 milionë lekë. Nëse ndarjen e shitjeve neto sipas nëngrupeve të prodhuesve të të mirave ose të shërbimeve e krahasojmë me strukturën e viti 2016, vihet re që nuk ka pësuar ndryshime të dukshme por vetëm disa ndryshime të vogla, duke ruajtur të njëjtën strukturë në shpërndarje për pesë vite me rradhë.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Edhe BERZH ul projeksionet për Shqipërinë/ Ekonomia do të rritet me 2.5% këtë vit, 0.5 pikë përqindje më pak nga parashikimi i kaluar

Postimi mëparshëm

Tregtia e jashtme e nis vitin mbarë/ Defiçiti zbret në vetëm 16 mld lekë, rekordi më pozitiv në 10 vite

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.