FinancëTregjet

Si e mbyllën vitin valutat? Euro ka prekur “fundin”. Dollari amerikan “tërhoqi” fitimet në Dhjetor

0

Përgjatë vitit që lamë pas, 2022-shit, një vëmendje të veçantë në diskutimet ekonomike mori edhe tregu i kursit të këmbimit. Ky treg ka rezultuar të jetë i paparashikueshëm dhe me luhatje të konsiderueshme, edhe si pasojë e zhvillimeve të fundit globale, si pandemia apo konflikti i armatosur në Ukrainë (inflacioni dhe kriza e çmimeve).

Referuar të dhënave të fundit të publikuara nga Banka e Shqipërisë, le të shohim ecurinë e kursit të këmbimit për Euron, Dollarin Amerikan dhe Paundin Britanik kundrejt monedhës vendase. Duhet mbajtur parasysh që kursi mesatar i këmbimit të monedhave të huaja kundrejt lekut përfaqëson mesataren e thjeshtë të kurseve zyrtare ditore të këmbimit përkundrejt monedhës vendase LEK.

Përsa i takon Euros, nëse shohim kursin e këmbimit të kësaj monedhe kundrejt lekut për muajin dhjetor në këto 20 vitet e fundit, vlera më e lartë e kursit të këmbimit ka qënë në dhjetor të 2013, ku 1 Euro këmbehej me 140.2 lekë. Në ekstremin tjetër, pra vlerën më të ulët e ka arritur në muajin dhjetor të vitit 2022 me një vlerë prej 114.93. Nëse e krahasojmë me kursin e këmbimit të së njëjtës periudhë të një viti më parë, shohim që ka pësuar një rënie prej 5.88 pikë, ku për dhjetorin e 2021 kursi i këmbimit ishte 120.81 Euro/ALL. Mesaratisht, për vitin 2022 kursi i këmbimit për euron ka qënë në vlerën 118.98 Euro/ALL.

Aktualisht, kjo rënie e euros mund të konsiderohet pozitive për ekonominë shqiptare, për shkak të inflacionit të lartë, duke zbutur presionet për rritjen e çmimeve nga tregjet e importit, pasi shumica e partnerëve tregtarë i përkasin Eurozonës. Përfitime kanë edhe huamarrësit në euro me të ardhura në lekë, ndërsa të dëmtuar nga dobësimi i euros janë kryesisht subjektet eksportuese, por edhe ekonomitë familjare të cilat mbështeten te remitancat.

Dollari amerikan, në Dhjetor të 2002 këmbehej me 134.97, duke shënuar vlerën më të lartë të kursit për këtë monedhë.  Nga ana tjetër, vlerën më të ulët të kursit të këmbimit, nisur edhe nga kriza financiare globale, e preku në Dhjetor të 2007 me vetëm 83.03 USD/ALL. Në dhjetor të 2022, një dollar amerikan u këmbye me 108.52 lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur kursi i këmbimit ishte në vlerën 106.86 USD/ALL, ka pësuar një rritje prej 1.66 pikë. Kujtojmë se gjatë vetëm pak muaj më parë, dollari amerikan u ngjit mbi nivelin e 115 lekëve. Ndërkohë, nëse bëjmë një mesatare të vlerave të kursit të këmbimit të 12 muajve të vitit që lamë pas, për dollarin marrin vlerën mesatare prej 113.4 USD/ALL.

Dollari amerikan po forcohet gjithnjë e më shumë në tregjet ndërkombëtare dhe sidomos kursi i tij kundrejt euros reflektohet edhe në kursin me lekun. Teorikisht, fakti që dollari po perceptohet si monedhë më e fortë mund të ndikojë në shitje të euros dhe blerje të monedhës amerikane.

Një tjetër monedhë me rëndësi për tegun e valutave në vendin tonë është edhe sterlina angleze ose paundi britanik. Kjo monedhë për dhjetorin e 2022-shit u këmbye me 132.13 GBP/ALL, ndërsa një vit më parë 1 paund britanik këmbehej me 142.23 lekë. Mesatarisht, për vitin 2022 kursi i këmbimit për paundin britanik ka qënë në vlerën 139.6 GBP/ALL.

Banka e Shqipërisë ka theksuar vazhdimisht kujdesin që duhet treguar për efektet që do të kenë normat e interesit në sektorin financiar si dhe të stabilitetit të kursit të këmbimit. Nëse kursi del nga kontrolli do të jetë me rrezik të lartë për ekonominë, për shkak të ekspozimit për huatë në euro, si dhe borxhit qeveritar në valutë.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Shqipëria, ekonomia e 122-të në botë/ Në vitin 2037 pritet të zbresë në vendin e 128-të në glob

Postimi mëparshëm

Shqiptarët u varfëruan që para krizës/ Rreth 623 mijë shqiptarë në rrezik. Përkeqësohen të gjithë treguesit e varfërisë në 2021-shin

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.