Çmimet

Inflacioni vijon rënien/ Pranë 4% në Gusht, “zbuten” edhe ushqimet. Por, rekord 5-vjeçar për çmimet e qirave

0

Gushti ka regjistruar një rënie të mëtejshme të normës së inflacionit, për të 3-tin muaj me radhë. Kështu, ndryshimi vjetor i çmimeve të konsumit gjatë Gushtit, krahasuar me Gushtin e një viti më parë fiksohet pranë vetëm 4%. Në Korrik norma e inflacionit binte pranë 4.2%, ndërkohë që sot është ndjeshëm poshtë niveleve rekord të larta të regjistruara gjatë dy viteve të fundit. Kujtojmë se në Tetor të vitit 2022 u arrit edhe rekordi i dy dekadave të fundit, me normën e inflacionit pranë 8.3%.

Ndërkohë që këtë vit gjatë Gushtit inflacioni fiksohet në 4%, një vit më parë gjatë së njëjtës periudhë kohore fiksohej pranë 8%, sinjalizojnë shifrat zyrtare. Në terma mujorë ndërkohë, pra çmimet e konsumit në Gusht krahasuar me Korrikun rezultojnë të jenë shtrenjtuar me vetëm 0.6% sipas Institutit të Statistikave.

Sa i përket kontributit të grupeve në rritjen e çmimeve në Gusht me 4%, vihet re se, ndikimi ka ardhur kryesisht nga “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2.78 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0.44 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” kanë kontribuar me 0.43 pikë përqindje dhe çmimet e grupit “Hotele, kafene dhe restorante” me 0.23 pikë përqindje. Nga ana tjetër, vetëm çmimet e grupit çmimet e grupit “Transporti” kanë kontribuar negativisht, me -0.66 pikë përqindje.

Inflacioni i ushqimeve ka zbritur gjithashtu ndjeshëm, pranë vetëm 7.9%, duke regjistruar nivelin më të ulët që prej shkurtit të vitit 2022, kur edhe niste kriza e çmimeve, e nxitur nga Lufta në Ukrainë. Shifrat sinjalizojnë se thuajse të gjitha kategoritë e ushqimeve regjistrojnë një ngadalësim të hapit të rritjes së çmimeve, edhe pse me rënie regjistrohen vetëm vajrat, ndërkohë që të gjitha ushqimet e tjera rezultojnë më të “kripura” se një vit më parë.

Nëse shohim zërat e tjerë që përbëjnë normën e inflacionit, në sy bie kryesisht nëngrupi i “qirasë, energjisë elektrike dhe lëndëve djegëse”, dhe pikërisht me qiranë, në rritje me 3.9%. Kjo është rritja më e madhe e çmimeve të qirave që prej tetorit të vitit 2018, pra në thuajse 5 vite.

Një tjetër zë që vihet re në ngadalësim të ritmit të rritjes së çmimeve është ai i “Argëtimit dhe Kulturës”, me vetëm 3.9% rritje, ndjeshëm nën nivelin e muajve pararendës. Të paktën sipas atyre që sinjalizon Instat, duket se çmimet e turizmit në vendin tonë këtë sezon veror janë shtrenjtuar shumë pak. Mes transportit, akomodimit dhe restoranteve, kafeve, e argëtimit çmimet nuk rezultojnë të jenë më shumë se 5% më të larta se një vit më parë, thotë Instat nëpërmjet shifrave.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Energjia shtrenjton prodhimin me 6.9%/ Edhe çmimet e importit në rritje, por ngadalësojnë ritmin në tremujorin e dytë

Postimi mëparshëm

Çdo vit e më pak fëmijë në shkolla/ Rreth 1,000 nxënës “i mungojnë” klasës së dhjetë, regjistrimet prekin rekordin më të ulët

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.