Çmimet

“Zbuten” më tej çmimet në Prill/ Inflacioni arrin në 2.1%. Grupi “Transporti” i rikthehet rritjes pas 13 muajsh

0

Çmimet në muajin prill të këtij viti u rritën me 2.1% tregojnë të dhënat më të fundit nga “Instituti i Statistikave”. Krahasuar me një vit më parë kur ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit ishte 4.6%, shohim se këtë vit çmimet janë shtrenjtuar rreth 2 herë më pak. Ndërkohë, rikujtojmë që në mars ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit ishte 2.3%. Pra, inflacioni në këto tre muajt e fundit është zbutur më shpejt nga sa pritej dhe po qëndron nën nivelin e objektivit të “Bankës së Shqipërisë” që është 3%.

Në rritjen vjetore të këtij indeksi kanë kontribuar pozitivisht të gjitha grupet. Kontributin më të lartë e dhanë grupet si “Ushqime dhe Pije joalkolike” me 0.52 pp, “Qira, ujë lëndë djegëse dhe energji” me 0.44 pp si dhe “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë’’ me 0.26 pp. Ndërkohë, grupet e tjera kanë kontribuar më pak në rritjen e këtij indeksi, si në rastin e grupit “Komunikimi” dhe “Shërbimi arsimor”. Ajo që vihet re nga grafiku i ndikimit të grupeve është kontributi pozitiv i grupit “Transporti” me 0.06 pikë, ku për shumë muaj me radhë paraqitej negativ.

Krahasuar me muajin prill të një viti më parë, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Argëtim dhe kulturë” me 4.4% pasuar nga grupet “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 3.5%, “Veshje dhe këpucë” me 3.4%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 3.3%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 3.2% dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 2.7%. Nga ana tjetër, grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” u rrit me 2.3%, “Shërbimi arsimor” me 2.2%, “Shëndeti” me 1.7%, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1.5% dhe “Transporti” me 1.0%. Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” vazhdojnë të kryesojnë rritjen me 5.4%, pasuar nga nëngrupet “peshk” me 5.2%, “sheqer, recel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 4.1%, “qumësht, djathë dhe vezë” u rritën me 3.6% dhe“mish” me 2.4%.

Sa i përket ndryshimit mujor, çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” u ulën me 0.7 %. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” shënuan rritje me 1.1%, pasuar nga grupet “Pije alkoolike dhe duhan” me 0.5%, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë”, “Transporti” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 0.2% secili, “Veshje dhe këpucë”, “Shëndeti” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0.1% secili.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Urbanizimi, të gjithë “dynden” drejt Tiranës dhe Durrësit/ Sipas Bankës Botërore, rreth 64% e popullsisë përqëndrohet në zonat urbane

Postimi mëparshëm

Më shumë interes për arsimin profesional/ Bie numri i regjistrimeve, por rritet pesha kundrejt arsimit të mesëm në total

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.