Çmimet

Çmimet, Shqipëria “parakalon” Europën/ Inflacioni sipas Eurostat në 4.7% në Tetor, në BE vlerësohet në 3.6%

0

Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit për muajin Tetor të vitit 2023, që mat rritjen e çmimeve sipas metodës së ‘Agjencisë Europiane të Statistikave’, fiksohet në 4.7%, ndërkohë që sipas metodës së Instat, po për të njëjtin muaj fiksohej në 3.8%. Rikujtojmë se në muajin Shtator ky tregues regjistrohej në 4.9%.

Krahasuar me vendet e tjera të Europës ndërkohë, norma vjetore e rritjes së çmimeve në vendin tonë prej 4.7% në Tetor rezulton të ketë kaluar normën e inflacionit në Bashkimin Europian. Mesatarja e rritjes së çmimeve në Europë për muajin Tetor regjistrohet në 3.6%. Turqia dhe Hungaria vijojnë dhe për këtë muaj të raportohen si vendet me rritjen më të lartë të çmimeve në Europë, prej 61.5% dhe 9.6% përkatësisht, pasuar nga Çekia dhe Serbia me 9.5% dhe 8.4%. Maqedonia e Veriut dhe Kosova renditen poshtë mesatares së Bashkimit Europian sa i përket rritjes së çmimeve me një normë të inflacionit në 3.4% dhe 3.3% përkatësisht. Nga krahu i kundërt i tabelës gjendet Italia me 1.8%. Ndërkohë, Danimarka, Holanda dhe Belgjika janë vendet që regjistrojnë rënie të çmimeve për muajin Tetor me 0.4%, 1% dhe 1.7%.

Rritja më e madhe e çmimeve prej 8.5% vërehet në grupin “Argëtim dhe kulturë”, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 7.7%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 5.8%, “Shërbimi arsimor” me 5.0%, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 4.8%, “Veshje dhe këpucë” me 3.4%, “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3.2% secili, “Shëndeti” me 1.5%, “Komunikimi” me 1.0% dhe “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0.5%. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 4.5%.

Në muajin Tetor, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është 0.1%. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të grupit “Hotele, kafene dhe restorante” me 1.4%.

Sa i përket kontributit të grupeve, ndikimin më të madh e ka patur grupi  “Hotele, kafene e restorante” me 2.57 pikë përqindje dhe “Argëtim dhe Kulturë” me 0.79 pikë përqindje. Kontribut negativ ka dhënë vetëm grupi “Transporti” me 0.4 pikë përqindje.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Turizmi vijon me rekorde edhe në shtator/ Netë qëndrimet nga vendasit, dy herë më shumë se vjet

Postimi mëparshëm

Tregtia me Kosovën, më shumë dërguam sesa morëm/ Marrëdhëniet me rajonin, importet u rritën vetëm me Maqedoninë e Veriut

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.