Çmimet

Dhjetori konfirmon zbutjen e inflacionit/ Norma arriti pranë 4.8%, por zarzavatet akoma me rritje dyshifrore

0

Gjatë muajit të fundit të vitit të kaluar, inflacioni ka vijuar tendencat rritëse, duke u ngjitur pranë 4%, sinjalizojnë shifrat më të fundit nga Instituti i Statistikave. Kujtojmë se përgjatë vitit 2023, trajektorja rënëse e inflacionit ka nisur që prej muajit Mars, kur zbriti pranë 5.3%, pas një serie të gjatë muajsh në rritje për të ardhur në muajin Tetor ku norma e inflacionit ishte edhe më e ulta për vitin 2023. Në Tetor norma e inflacionit arriti në 3.8%, por gjatë muajit Nëntor dhe Dhjetor të vitit 2023 tendenca ishte në rritje. Në harkun kohor të një viti duket se çmimet po normalizohen pasi po të rikujtojmë normën e inflacionin në muajin Dhjetor të vitit 2022, ky ndryshim ishte 7.4%. Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Dhjetor 2023, krahasuar me Nëntor 2023 është 0.5%. Përgjatë të gjithë vitit 2023, norma e inflacionit fiksohet pranë 4.8%, nga 6.7% që ishte gjatë vitit pararendës. Megjithëse në rënie, duket se inflacioni në vendin tonë po zbutet më ngadalë se në vendet e Europës duke kaluar mbi mesataren e Bashkimit Europian.

Kontributin kryesor në rritjen e çmimeve përgjatë dhjetorit e kanë dhënë “ushqimet dhe pijet joalkoolike”, me 2.38 pikë përqindje, ndjekur nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji”, me 0.51 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” ndikuan me 0.34 pikë përqindje, grupi “Pije alkoolike dhe duhan” me 0.21 pikë përqindje, ndërsa grupi “Hotele, kafene dhe restorante” me 0.20 pikë përqindje. Nga të dhënat duket se vetëm çmimet e grupit “Transporti” kanë kontribuar negativisht me 0.21 pikë përqindje.

Krahasuar me muajin Dhjetor 2022, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 6.7%, pasuar nga grupet “Argëtim dhe kulturë” me 5.4%, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 4.6%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 4.4%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 4.3%. Po ashtu grupi “Mallra dhe shërbime të ndryshme” u rrit me 3.4%, “Veshje dhe këpucë” me 3.0%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 2.6%, “Shërbimi arsimor” me 2.3%, “Shëndeti” me 1.2% dhe “Komunikimi” me 0.3%. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Transporti” shënuan ulje me 3.3%. Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” u rritën me 20.8%, pasuar nga nëngrupet “fruta” me 10.9%, “qumësht, djathë dhe vezë” me 6.7%, “mish” me 5.5%, “sheqer, recel, mjaltë, çokollata dhe mbëlsira” me 2.7%, “peshk” me 2.4%, etj.

Nga analiza e detajuar e shifrave ndërkohë, rezulton se në Dhjetor të vitit 2023, grupi “Argëtim dhe Kulturë” dhe grupi “Shëndetësi” kanë regjistruar nivel më të lartë çmimesh se një vit më parë. Në dhjetor të vitit 2022 çmimet për grupin “Argëtim dhe Kulturë” rriteshin me 1.3%, ndërsa në dhjetor të vitit 2023 norma e inflacionit për këtë grup regjistrohet në 5.4%. Sa i përket shëndetësisë, në dhjetor të vitit 2022 çmimet rriteshin me 1.1%, ndërsa në dhjetor të vitit 2023 norma e inflacionit për këtë grup regjistrohet në 1.2%.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Cilat janë sfidat e bizneseve shqiptare? Anketa e RCC: Largimi i të rinjve të talentuar dhe mungesa e fuqisë punëtore

Postimi mëparshëm

Siguria në internet, 1 në 3 biznese ka probleme / Shqipëria më e pasigurta në rajon, viruset shkaktarët kryesorë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.