Instituti i Statistikave ka publikuar Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit për muajin Gusht të vitit 2023, që mat rritjen e çmimeve sipas metodës së Eurostat. Ky tregues fiksohet në 4.7%, ndërkohë që sipas metodës së Instat, po për të njejtin muaj fiksohej në 4%. Rikujtojmë se në Korrik të këtij viti norma e inflacionit sipas “Agjencisë Europiane të Statistikave” ishte 5%.
Krahasuar me vendet e tjera të Europës ndërkohë, norma vjetore e rritjes së çmimeve në vendin tonë prej 4.7% në Gusht rezulton të jetë e 12-ta më e ulët mes vendeve të BE-së, dhe nën mesataren e unionit, e cila fiksohet pranë 5.9%. Megjithatë nga të dhënat shohim se norma e inflacionit në vendin tonë po afrohet shumë pranë nivelit të mesatares së vendeve të Bashkimit Europian. Turqia dhe Hungaria vijojnë dhe për këtë muaj të raportohen si vendet me rritjen më të lartë të çmimeve në Europë, prej 59% dhe 14.2% përkatësisht, pasuar nga Serbia me 11.5%. Nga krahu i kundërt i tabelës gjendet Zvicra më një normë në 1.9%, Danimarka me 2.3% dhe Belgjika me 2.4%.
Rritja më e madhe e çmimeve prej 8.2% vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike”, pasuar nga grupet “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 6.3%, “Argëtim dhe kulturë” me 6.1%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 4.6%, “Veshje dhe këpucë” me 4.4%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3.9%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 3.0%, “Shërbimi arsimor” me 2.6%, “Shëndeti” me 1.9%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” dhe “Komunikimi” me 1.0% secili. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 5.6%.
Në muajin Gusht të këtij viti, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është 0.4%. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të grupit “Transporti me 1.5%, pasuar nga grupet “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” dhe “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 0.5% secili, “Ushqime dhe pije joalkoolike” dhe “Shërbimi arsimor” me 0.4% secili, “Shëndeti” me 0.3%, “Hotele, kafene dhe restorante” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0.2% secili, “Komunikimi” me 0.1%. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” dhe “Argëtim dhe kulturë” u ulën me 0.1% secili.
Sa i përket kontributit të grupeve, ndikimin më të madh e ka patur grupi “Ushqime dhe pije joalkolike” me 2.80 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Hotele, kafene e restorante” dhe “Argëtim dhe Kulturë” me 0.64 pikë përqindje dhe 0.62 pikë përqindje. Kontribut negativ ka dhënë vetëm grupi “Transporti” me 0.50 pikë përqindje.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments