Tregjet

Biznesi i ujit të pijshëm me rritje/ Raportojnë 4.3 mln euro fitime dhe 38.5 mln euro xhiro, 28.5% më shumë të ardhura se në 2020-ën

0

“Scan Intel” në vijim të analizës së tregjeve është rikthyer në industrinë e ujit të pijshëm me të dhëna të rifreskuara me qëllim për të kuptuar performancën e tyre gjatë vitit 2021, krahasuar me një vit më parë, por edhe për të krahasuar kompanitë me njëra tjetrën. Sikurse në analizën e mëparshme të “Scan Intel” për këtë industri (shiko këtu) janë marrë në analizë 8 kompani të cilat janë të njohura në treg, por që kanë edhe të dhëna të disponueshme në “Qendrën Kombëtare të Biznesit”. Pjesë e kësaj analize nuk janë kompani si “Glina” apo “Spring” të cilat nuk kanë NIPT më vete, por janë pjesë e kompanive mëmë si “Agna Group”. Nga ana tjetër uji “Selita” që në QKB rezulton me emrin “Blu-Imperial” nuk ka derdhur të dhëna sa i përket vitit 2021.

Nga shifrat e përpunuara del në pah se për vitin 2021 xhiro vjetore e kompanive në total rezulton në 4.5 miliardë lekë ose e thënë ndryshe në valutë rreth 38.5 milion lekë. Të ardhurat në total për tetë kompanitë e marra në analizë janë rritur me 28.5% krahasuar me vitin 2020. Nisur nga të dhënat e rishikuara të bilanceve të kompanive të ujit shohim se përgjatë vitit 2020 të ardhurat në total ishin 3.5 miliardë lekë. Kështu, në shifra absolute themi se të ardhurat e tyre janë rritur me 997 mln lekë përgjatë vitit 2021. Në vend të parë vijon të jetë “Lajthiza” me nivel të ardhurash rreth 2.1 mld lekë. Kjo kompani zë edhe peshën më të madhe në treg me 47.4% të të ardhurave në total. E dyta në radhë për nga niveli i të ardhurave është uji “Tepelena” me 1.3 mld lekë të ardhura për vitin 2021, duke zënë rreth 30% të tregut. Vijon në renditje uji “Qafshtama” më 741 milion lekë, pasuar nga uji “Akull”. Nisur nga këto shifra ajo që bie në sy është se dy kompanitë kryesore pra “Lajthiza” dhe “Tepelena” zënë rreth 80% të totalit të të ardhurave. Në vija të përgjithshme të dhënat tregojnë se të ardhurat e secilës kompani kanë pësuar rritje, krahasuar me një vit më parë. Me rënie të nivelit të të ardhurave paraqiten vetëm dy kompani të cilat janë uji “Shpati” dhe “Alpin”. Uji “Dukat” regjistron rritjen më të lartë të të ardhurave me 87.7%, ndjekur nga uji “Bukaniku” me 48.9% dhe “Qafshtama” me 37.5%. Uji “Lajthiza” i ka rritur të ardhurat  përgjatë vitit 2021 me 30.6%, krahasuar me 2020-tën. Nga ana tjetër, “Shpati” i ka ulur të ardhurat me 22.3%, ndërsa uji “Alpin” i ka ulur me 28.1%.

Shifrat mbi nivelin e fitimeve tregojnë për një panoramë pozitive përveç ujit “Alpin” i cili rezulton me humbje për vitin 2021. Në total fitimet e tetë kompanive të ujit fiksohen në 512 mln lekë ose e thënë në valutë rreth 4,3 mln euro. Nga shifrat e përpunuara shohim se niveli i fitimeve për vitin 2021 është rritur me 24.5%, krahasuar me një vit më parë. Nëse do të flisnim për totalin e fitimit në shifra absolute shohim se janë rritur me rreth 100 mln lekë. Por si renditen kompanitë për nga niveli i fitimit? Edhe pse nisur nga shifrat e të ardhurave prisnim të ishte “Lajthiza” në vend të parë, faktet nuk rezultojnë kështu. Me nivelin më të lartë të fitimit për vitin 2021 është kompania e ujit “Tepelena” me 207 mln lekë. Ndiqet në radhë nga “Qafshtama” me nivel fitimesh deri në 204 mln lekë dhe e treta vjen “Lajthiza” me 99 milionë lekë. Uji “Alpin” ka rritjen më të lartë të nivelit të fitimeve, me 417.4%. I dyti me rritjen më të lartë është “Bukaniku” me 197.1%, pasuar nga “Dukati” me 108.1%. Me rënie të nivelit të fitimeve paraqiten “Lajthiza”, në tkurrje me 19,2% si dhe “Shpati” me 48.3%.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Bizneset “dynden” drejt kredive në Euro/ Huaja e re në Korrik arrin në 24.4 mld lekë. Në rënie për individët

Postimi mëparshëm

Turizmi, rekord kreditimi gjatë korrikut/ Kredia e re për “akomodimin dhe shërbimin ushqimor” rritet me 62%

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.