Financë

Bizneset “dynden” drejt kredive në Euro/ Huaja e re në Korrik arrin në 24.4 mld lekë. Në rënie për individët

0

Gjatë korrikut të këtij viti, sektori bankar ka dhënë 24.4 miliardë lekë kredi të re, sinjalizojnë shifrat zyrtare nga Banka e Shqipërisë, të analizuara dhe përpunuara nga “Scan Intel”.

Kështu, të dhënat tregojnë se kredia e re në total ka regjistruar një rritje prej 450 mln lekë në terma vjetorë ose 2.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur huatë e reja fiksoheshin në 24.01 miliardë lekë.

Nëse në analizë marrim vetëm muajin korrik, shohim se gjatë 7 viteve të fundit kjo është shifra e dytë më e lartë që prej korrikut të vitit 2018. Sa i përket sektorit privat ndërkohë, huaja e re fiksohet në rreth 17,7 miliardë lekë, në rritje si në terma vjetorë, ashtu edhe në terma mujorë.
Ajo që bie në sy nga huaja e re gjatë korrikut është një rilulëzim i kredisë së re për bizneset në monedhën europiane duke shënuar dhe nivelin më të lartë që nga Dhjetori i vitit 2020, me rreth 10.94 mld lekë. Ndërkohë, në këtë segment të kredisë së re në Euro të marrë nga bizneset vihet re një orientim i lartë drejt kredisë së re në formë overdrafti apo me qëllim bjerje pajisjesh. Diçka e tillë është rrjedhojë kryesisht e luhatjeve të kursit të këmbimit veçanërisht e monedhës europiane, e cila ka prekur dhe minimumet e veta historike, duke e mbyllur muajin korrik me 116,78 lekë dhe muajin gusht 2022 me 117.90 lekë. Zhvlerësimi i monedhës europiane duket se ka nxitur kështu një kërkesë më të lartë, sidomos nga bizneset për kredinë në euro.

Ndërkohë, sa i përket kredisë së re për individët, gjatë muajit korrik të këtij viti fiksohet në rreth 6.68 miliardë lekë, në rënie në terma mujorë, nga rreth 10.1 miliardë lekë që ishte në qershor të këtij viti, apo rreth 7.69 miliardë lekë në maj të vitit të kaluar. Edhe në terma vjetorë, kredia e re për individët ka pësuar një rënie, duke qenë se në korrik të një viti më parë fiksohej pranë 7.06 miliardë lekë. Edhe vrulli i kredisë së re nga individët për blerje banese është zbehur ndjeshëm gjatë korrikut të këtij viti, pas muajsh me radhë që ky indikator regjistronte rritje progresive dhe rekorde të njëpasnjëshme.
Rritja e kredisë se re për bizneset gjatë korrikut është rrjedhojë e kërkesës së lartë për likuiditet dhe investime si pasojë e rritjes së ndjeshme të çmimeve, ndërkohë që vrulli i kredisë në euro lidhet ngushtë me disa faktorë kyc, si zhvlerësimi i ndjeshëm i euros përkundrejt monedhës vendase, me rritjen e çmimeve në tregjet ndërkombëtare, përfshirë vendet e eurozonës, por edhe me normat më të ulta të interesit për kredi në monedhën europiane (shiko këtu). Nga ana tjetër, zbehja e vrullit për kredi për individët arsyetohet edhe me krizën e cmimeve dhe të konsumatorit.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Rikthehemi mes 10 vendeve me naftën më të shtrenjtë në planet/ Shqipëria renditet krah shteteve që kanë një pagë mesatare 8.3 herë më të lartë

Postimi mëparshëm

Biznesi i ujit të pijshëm me rritje/ Raportojnë 4.3 mln euro fitime dhe 38.5 mln euro xhiro, 28.5% më shumë të ardhura se në 2020-ën

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.