Financë

Turizmi, rekord kreditimi gjatë korrikut/ Kredia e re për “akomodimin dhe shërbimin ushqimor” rritet me 62%

0

Muaji Korrik ka shënuar rekord në vlerën totale të huave të reja të dhëna nga bankat për financimin e bizneseve, veçanërisht ndaj sektorit të akomodimit dhe shërbimit ushqimor në nivel koorporatash jofinanciare private, sa i përket dy viteve të fundit. Kështu, sipas shifrave zyrtare të publikuara nga Banka e Shqipërisë, flukset hyrëse të parasë në nivel huash të reja për sektorin e mësipërm fiksohen në 1.41 mld lekë për periudhën Korrik 2022. Në rast se bëjmë një krahasim me korrikun e viteve të kaluara shohim se, në vitin 2021 kjo vlerë ishte 534 mln lekë, në vitin 2020 ishte 621 mln lekë,  434 mln për vitin 2019,  224 mln për vitin 2018 dhe 384 mln për vitin 2017. Pra, në terma dyvjeçare kemi të bëjmë me një rekord, ndërkohë që krahasuar me të gjithë muajt paraardhës shohim se është shifra e tretë më e lartë e regjistruar ndonjëherë, pas Janarit dhe Gushtit të vitit 2020, kur sektori vuante dy kriza të njëpasnjëshme, tërmetin dhe pandeminë. Tendenca e këtij viti duket të jetë rrjedhojë e drejtpërdrejtë e vrullit të sektorit të turizmit gjatë këtij viti, e konfirmuar edhe publikimet e INSTAT, si pasojë e rritjes së ndjeshme të numrit të shtetasve vendas dhe të huaj që kanë zgjedhur të vizitojnë vendin tone, çka automatikisht ka rritur nevojën për financim nga sektori bankar. Kujtojmë se niveli i turistëve që ka vizituar vendin tonë këtë vit, në 7 muajt e parë ka qenë edhe më i lartë se nivelet e para pandemisë, duke prekur kështu shifrat më të larta historike.

Nëse do të bëjmë një raport të thjeshtë se si ka ndryshuar niveli i financimit të sektorit të turizmit me hua të reja të dhëna nga bankat përkundrejt muajve të mëparshëm shohim një rritje me 73% krahasuar me vitin 2017, rritje me 84% krahasuar me vitin 2018, rritje me 69% krahasuar me vitin 2019, me 56% krahasuar me vitin 2020 dhe rritje me 62% krahasuar me vitin 2021.

Nëse do të vijojmë t`i referohemi raportit të Bankës së Shqiperisë, shohim se huatë e dhëna për financimin e bizneseve për sektorin e akomodimit dhe shërbimit ushqimor shohim se zënë një peshë jo shumë të lartë krahasuar me sektorët e tjerë të kredive të reja në nivel korporatash jofinanciare të dhëna nga sektori bankar, me 8% përkundrejt totalit të përgjithshëm të huave për sipërmarrjen gjatë korrikut.

Tendenca për financim e turizmit tregon qëllimin dhe potencialin e lartë të zhvillimit të këtij sektori në vendin tonë.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Biznesi i ujit të pijshëm me rritje/ Raportojnë 4.3 mln euro fitime dhe 38.5 mln euro xhiro, 28.5% më shumë të ardhura se në 2020-ën

Postimi mëparshëm

Sa janë rritur realisht pagat? Vetëm 14 euro në muaj që prej vitit 2014, nëse marrim për bazë rritjen e çmimeve

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.