Tregjet

Analiza e tregut të sigurisë private/ Qarkullon thuajse 80 milionë euro në vit. 85% e tregut kontrollohet nga 10 kompani. Lista e të “mëdhenjve”

0

Në morinë e analizave të tregjeve, “Scan Intel” këtë herë është fokusuar te ai i shërbimit privat të sigurisë fizike. Në këtë treg funksionojnë një numër i konsiderueshëm subjektesh dhe ne i kemi marrë na analizë të gjithë, por jemi ndalur te ato më kryesoret, sipas të ardhurave, stafit, objekteve në menaxhim, armëve në dispozicion, etj. Ndër tregjet e marra në analizë, përmasat e qarkullimit të parasë në biznesin e “policisë private” janë relativisht të larta, por jo edhe aq fitimprurëse, të paktën referuar shifrave që vetë kompanitë raportojnë në bilancet e tyre vjetore.

Në total, për të gjithë vitin 2021, mbi 70 kompanitë e filtruara si më të mëdhatë, dhe që kanë peshë në treg, raportojnë rreth 8.7 miliardë lekë xhiro vjetore, ose rreth 74 milionë euro. Kjo është shuma minimale e parasë vjetore që qarkullon ky treg, pasi në analizë mungojnë disa kompani me peshë, të cilat nuk kanë dorëzuar ende bilancin e tyre për vitin 2021, si “Aulona Pol-1”, Rogat Security”, “Force Security”, “Star” apo “Oktapus Security”. Nëse për totalin e xhiros vjetore të tregut për vitin 2021 do të merrnim parasysh të ardhurat e këtyre kompanive për vitin 2020, atëherë mund të themi se tregu vlen të paktën 9 miliardë lekë në vit, ose rreth 78 milionë euro.

Por, si duket situata e përgjithshme krahasuar me vitin paraardhës, atë 2020-të? Nga analiza dhe përpunimi i shifrave shohim se në vitin 2020, totali i xhiros për mbi 70 kompanitë e filtruara fiksohet pranë 7.5 miliardë lekëve. Pra, në harkun e një viti, tregu privat i shërbimit të sigurisë fizike ka rritur të ardhurat me të paktën 16%. Rritja e të ardhurave me shumë gajsa është rrjedhojë e drejtpërdrejtë e rritjes së kostove të shërbimit, e justifikuar me rritjen e pagave për punonjësit.

Ndërkohë, po të kalojmë te analiza e fitimit neto të kompanive, vëmë re se bëhet fjalë për një total prej rreth 616 milionë lekësh, ose 5.2 milionë euro. Në rast se do merrnim të mirëqenë edhe në këtë rast fitimet e një viti më parë për 5 kompanitë që nuk figurojnë të kenë dorëzuar bilanc në QKB, fitimi do të ishte thuajse në të njëjtat nivele, pranë 620 milionë lekëve. Në terma vjetorë, krahasuar me vitin 2020, në 2021-shin, fitimet neto të këtij tregu janë rritur me vetëm 3.3%, pra ndjeshëm nën hapin e rritjes së të ardhurave.

Shifrat sinjalizojnë gjithashtu një normë marxhinale fitimi relativisht të ulët, sidomos kahasuar me tregje të tjera të marra në analizë më parë. Norma e fitimit pas taksave për tregun fiksohet pranë një mesatare prej 7.1%.

Nëse kalojmë te analiza e tregut sipas kompanive të veçanta shohim se, në vend të parë për ndarje të tregut, pra bazuar mbi të ardhurat pozicionohet “Illyrian Guard”, e cila është një kompani me aksionere 100% qeverinë shqiptare, ose më saktë “Ministrinë e Brendshme”. Kjo kompani raporton të ardhura pranë 1.7 miliardë lekëve në vitin 2021, ose rreth 15 milionë euro, duke përfaqësuar kështu thuajse 20% të totalit të tregut. Në vend të dytë gjejmë të pozicionuar “Global Security”, me rreth 935 milionë lekë të ardhura, ose rreth 10.8% të tregut. “Nazer-2000” renditet në vend të 3-të sa i përket të ardhurave, me rreth 716 milionë lekë për vitin 2021, që përfaqësojnë 8.2% të tregut. Në renditje ndjek “PC-Security”, me 6.9% të tregut, “Arb-Security” me 6.4%, “Breçani” me 4.2%, “Eurogjici” me 3.9%, “Serjani” me 3.2%, “Pelikani” me 3.1% dhe “Myrto Security” me 3% të tregut. Këto janë 10 kompanitë që dominojnë këtë treg në vendin tonë, duke përfaqësuar rreth 84% të tij. Mbi 60 kompanitë e tjera përbëjnë vetëm 16% të “tortës”. Nga ana tjetër, krahasuar me vitin pararendës, shohim se “Top-10”-shja ka pësuar ndryshime minimale. “Illyrian Guard” pozicionohej në vend të parë edhe në 2020-tën, ndërkohë që vendi i 2-të dhe i 3-të në rendite kanë bërë një rotacion, “Nazer-2000” me “Global Security”. Sakaq, nga “Top-10”-shja ka “dalë” “Aulona Pol-1”, dhe është futur “PC Security”. Ritheksojmë se, bilancet për vitin 2021 të “Aulona Pol-1” mungojnë, ndërkohë që në 2020-tën, kompania pozicionohej në vend të 10-të.

Sa i përket ndryshimit vjetor të të ardhurave sipas kompanive shohim se në vend të parë në terma rritje është pikërisht “PC Security”, me një rritje prej 350%, ndjekur nga “Illyrian Guard”, “Global Security” dhe “Eurogjici”, të paktën sa i përket 10 më të mëdhenjve në treg. Ndër to, vetëm “Nazer-2000” dhe “Myrto Security” raportojnë rënie të të ardhurave, në harkun e 1 viti.
Po sa i përket fitimeve? Në vend të parë gjejmë pikërisht “Nazer-2000”, edhe pse ka rënie të xhiros. Kjo kompani përfaqëson 28.5% të totalit të fitimeve neto të tregut, pra më shumë se ¼-tën e totalit, duke raportuar rreth 175 milionë lekë fitime neto, ose rreth 1.5 milionë euro. Në vend të dytë ndjek “Global Security”, me rreth 100 milionë lekë fitime neto, çka përfaqëson rreth 16.7% të fitimeve të tregut. Ndjek “Pc Security”, “Bare”, Breçani”, “Serjani”, “Myrto Security”, “Illyrian Guard”, “Ro.gat” dhe “Oktapus”. Në nivel fitimesh, “Top 10” kompanitë përfaqësojnë plot 90% të totalit.

Kështu, nga analiza e këtij tregu bie në sy rritja e ndjeshme e të ardhurave, por fitime deri diku të ulta. Në aspektin e fitimeve vëmë re gjithashtu një rritje modeste nga viti në vit. Një tjetër element që bie në sy është ai se disa prej kompanive të mëdha janë të copëtuara, pra kanë edhe subjekte të tjera me emra të ngjashëm. Gjithashtu vëmë re se tregu “kontrollohet” thuajse nga të njëjtat kompani të cilat kanë shumë vite në këtë treg, dhe se ka një depërtim mjaft të ulët të kompanive të reja.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Kriza ngadalëson ekonominë/ PBB rritet me 2.23% në TII, rritja më e ulët që nga koha e pandemisë, bie edhe konsumi

Postimi mëparshëm

Inovacioni, Shqipëria e 84-ta në botë/ Raporti i “WIPO”: Ruajmë të njëjtin pozicion, por përkeqësohemi në pikëzim

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.