Ekonomi

Kriza ngadalëson ekonominë/ PBB rritet me 2.23% në TII, rritja më e ulët që nga koha e pandemisë, bie edhe konsumi

0

Kriza duket se ka penguar ritmin e rritjes ekonomike përgjatë tremujorit të dytë të vitit. Kështu të dhënat nga “Instituti i Statistikave” bëjnë me dije se Produkti i Brendshëm Bruto vlerësohet me një rritje të ngadaltë, krahasuar me periudhat pararendëse. Kjo rritje fiksohet në 2.23%, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2021, ndërkohë sipas shifrave kjo është rritja më e ulët që nga tremujori i tretë i vitit 2020, i cili shënonte rënie me 3.11%. Ndërkohë të dhënat tregojnë se përgjatë tremujorit të parë të këtij viti rritja vjetore vlerësohej në 5.97%. Nga ana tjetër, të dhënat tregojnë se me rënie gjithashtu paraqitet edhe konsumi final i popullatës me 0.84%, krahasuar me tremujorin paraardhës, pra tremujorin e parë të vitit 2022. Shifrat tregojnë se gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, tregtia, transporti si dhe akomodimi, kanë qenë zërat të cilët kanë regjistruar dhe kontributin më të lartë në rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto, me 1.68 pikë përqindje. Aktivitetet e pasurive të paluajtshme renditen në vend të dytë me kontributin më të lartë me 0.65 pikë përqindje. Dega e cila ka dhënë kontibutin më të vogël në rritjen e përgjithshme të prodhimit është informacioni dhe komunikacioni me 0.06 pikë përqindje. Shifrat ndër të tjera tregojnë se gjatë tremujorit të dytë kanë kontribuar negativisht grupe si administrimi publik, artet, industria nxjerrëse dhe ndërtimi me 0.49 pikë përqindje.

Nëse në analizë marrim ndryshimin e degëve kryesore, shohim se për këtë tremujor “Aktivitetet financiare” kanë shënuar dhe rritjen më të madhe, me 13.2%. “Aktivitetet e tregtisë dhe transportit” janë grupi i dytë me rritjen më të madhe të regjistruar, deri në 11.42%. Nga ana tjetër, rritje të konsiderueshme kanë pësuar edhe grupe si “Aktivitetet e pasurive të paluajtshme” dhe “Aktivitete profesionale dhe administrative” me 11.38% dhe 5.68%. Gjatë tremujorit të parë të vitit, krahasuar me një vit parë rënien më të madhe e regjistron grupi “Arte, argëtim dhe çlodhje; Aktivitete të tjera shërbimi” me 5.35% si dhe ndërtimi me 5.26%.

Ndërkohë, krahasuar me tremujorin paraardhës, pra tremujorin e parë të vitit 2022, treguesi i Produktit të Brendshëm Bruto është rritur me 1.16%, ndërsa ndryshimet e disa komponentëve paraqiten me rënie. Kështu, rënien më të lartë përsëri e regjistron “Ndërtimi” me 5.99%, pasuar nga “Informacioni dhe komunikacioni”. Në terma tremujorë me rritje paraqitet “Industria nxjerrëse” me 6.74% pasuar nga “Tregtia dhe aktivitetet e pasurive të paluajtshme” me 2.34% dhe 2.31% respektivisht.

Kujtojmë se kriza e çmimeve, kryesisht rrjedhoje e luftës në Ukrainë ka kulmuar pikërisht në tremujorin e dytë të vitit, çka duket se është reklektuar edhe në këo shifra, me një ngadalësim të vrullit të ekonomisë dhe rënie të konsumit.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Kreditimi vijon me ritme rekord/ Gushti “thyen” tendencën historike, financim i lartë për individët, sidomos për blerje banese

Postimi mëparshëm

Analiza e tregut të sigurisë private/ Qarkullon thuajse 80 milionë euro në vit. 85% e tregut kontrollohet nga 10 kompani. Lista e të “mëdhenjve”

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.