Raporte

KE për ekonominë shqiptare/ Ekonomia do rritet me 2.9% këtë vit, do ngadalësohet tregtia e jashtme, do ulet inflacioni

0

Komisioni Europian ka publikuar projeksionet e pranverës sa i përket perspektivës ekonomike për vendet e unionit dhe ato kandidate, mes të cilave edhe Shqipëria. Sa i përket projeksioneve për vendin tonë, krahu ekzekutiv i Bashkimit Europian flet për 2.9% rritje ekonomike këtë vit, nga 2.6% që sinjalizonin projeksionet e kaluara, dhe 3.8% rritje vitin e ardhshëm, nga 3.4% që parashikonte më herët komisioni.

Sa i përket indikatorëve të tjerë makro-ekonomik, projeksionet e Komisionit Europian sinjalizojnë se, norma e inflacionit këtë vit parashikohet pranë 4.6%, dhe do të zbresë pranë 3.1% vitin e ardhshëm, Papunësia parashikohet të zbresë në 10.9% këtë vit, nga 11.3% vitin e kaluar, ndërkohë që në vitin 2024 parashikohet të zbresë pranë 10.3%. Edhe borxhi publik parashikohet të zbresë lehtë, me 0.3 pikë përqindje këtë vit, pranë 64.3%.

Mes reshtave, në kapitullin dedikuar vendit tonë, Komisioni Europian thekson se, rënia e inflacionit të importit dhe mbiçmimi i monedhës vendase do të ndihmojnë Shqipërinë që ta mbajë normën e inflacionit nën 5% këtë vit.

“Rritja e konsumit privat parashikohet të dobësohet por duke mbetur e fortë, pranë 3%, si pasojë e rritjes së punësimit dhe të pagave, që do të marrë edhe më shumë nxitje nga njoftimi për rritjen e pagave në sektorin publik dhe pagën minimale. Ngadalësimi i kërkesës së brendshme projektohet të dëmtojë rritjen e importeve, në një kohë që kërkesa e dobët nga jashtë pritet të dobësojë eksportin e mallrave. Por nga ana tjetër, eksporti i shërbimeve pritet të mos ndikohet nga ngadalësimi ekonomik i partnerëve kryesor tregtar të Shqipërisë, në një kohë që vendi mbetet relativisht i lirë dhe tërheqës si destinacion turistik”-thotë mes reshtave në raport Komisioni Europian.

“Në përgjithësi, duke marrë shtysë nga qëndrueshmëria e konsumit të familjeve, rritja ekonomike parashikohet pranë 2.9% këtë vit, me eksportet neto që pritet të kenë një kontribut zero në rritjen ekonomike. Ky prarashikim është subjekt i disa rreziqeve, kryesisht të lidhura me vulnerabilitetin dhe varësinë e vendit nga kushtet atmosferike sa i përket prodhimit energjetik, si dhe mungesa në rritje e fuqisë punëtore të specializuar, përkeqësuar edhe më shumë nga emigracioni”-mbyll Komisioni Europian parashikimin për vendin tonë.

KLIKONI KËTU PËR RAPORTIN E PLOTË

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

A ndikon viti zgjedhor në ekonomi? Shifrat/ Kur ka zgjedhje rriten pagat, emigrantët dhe martesat, por më pak turistë

Postimi mëparshëm

Sa do na kushtonte votimi elektronik? Rreth 200 milionë euro, ose 6,112 lekë për një votë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.