Ekonomi

Rreth 45% e popullsisë, në rrezik varfërie/ Eurostat: Shqipëria, e para në Europë, por shënon përmirësim nga viti i kaluar

0

Gati 45% e popullsisë në vendin tonë është në rrezik varfërie apo përjashtimi social, sipas të dhënave të fundit nga “Instituti i Statistikave”. Por, çfarë do të thotë varfëri dhe përjashtim social? Ndërkohë që të ardhurat janë një element thelbësor në standardet e jetesës, aspekte të tjera mund t`i kufizojnë njerëzit të marrin pjesë plotësisht në shoqëri, si mungesa e aksesit në tregun e punës apo privimi material. Kështu, indikatori i “rrezikut të varfërisë dhe përjashtimit social” mat numrin e njerëzve të prekur nga të paktën një prej tre formave: varfëri në të ardhura, privim i rëndë material dhe privim social, apo intensitet mjaft i ulët pune.

‘Scan Intel’ i ka kryqëzuar të dhënat me ato të “Agjencisë Europiane të Statistikave” për të parë se si krahasohet Shqipëria me vendet e Europës, por edhe të rajonit. Me një normë pranë 44.5% të popullsisë në rrezik varfërie, Shqipëria mban vendin e parë në Europë. Ndërkohë, mesatarja e Bashkimit Europian për popullsinë në rrezik varfërie fiksohet pranë 21.6% për vitin 2022. Çekia ndërkohë raporton normën më të ulët të këtij treguesi mes vendeve europiane, pranë vetëm 11.8%.

Rumania dhe Mali i Zi ndjekin Shqipërinë në remditje me 34.4% dhe 34.1% të popullsisë që është në rrezik varfërie apo përjashtimi social. Ndërkohë Serbia e regjistron këtë tregues për vitin 2022 në 28.1%.

Ajo që është pozitive sa i përket këtij treguesi është tendenca në rënie. Në vitin 2019-të, rreth 50.7% e popullsisë në vendin tonë ishte në rrezik varfërie apo përjashtimi social, ose më shumë se gjysma. Ndërkohë, në vitet 2020, 2021 dhe 2022 ky tregues u paraqit në rënie.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Zhvillimi njerëzor, Shqipëria e 74-ta/ UNDP: Në 32 vite vlera e indeksit u rrit me 21.6%, por jemi më keq se një vit më parë

Postimi mëparshëm

Ekonomia e vendit “mbahet” tek bizneset e vogla/ Zënë 99.8% të ndërmarrjeve aktive gjithsej, pesha e të punësuarve në 82.1%

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.