FunData

Shqiptari i Kosovës vs shqiptari i Shqipërisë/ “Kosovari” është më i ri, martohet më shpejt, paguhet më shumë, por jeton më pak

0

“Scan Intel” ka analizuar të dhënat e “Institutit të Statistikave” por edhe të “Agjencisë së Statistikave të Kosovës” për të krahasuar profilin e një shqiptari mesatar me profilin e një shqiptari të Kosovës. Referuar këtyre shifrave del në pah se shqiptari i Kosovës është rreth 8 vite më i ri. Mosha mediane në vendin tonë fiksohet në 38.2 vjeç, ndërsa sipas “Agjencisë së Statistikave të Kosovës” ky tregues logaritet në 30.5 vite.

Ndërkohë që mosha mesatare kishte diferenca të ndjeshme mes dy profileve, të dhënat tregojnë se mosha mesatare e martesës mes një shqiptari të Shqipërisë dhe një shqiptari të Kosovës nuk ka shumë diferenca. Sipas kryqëzimit të të dhënave mes “Institutit të Statistikave dhe “Agjencisë së Statistikave të Kosovës” del se një shqiptar i kosovës martohet një vit më i ri se një shqiptar i Shqipërisë. Mosha mesatare e martesës në Kosovë llogaritet në 29 vjeç, ndërkohë që në Shqipëri ky tregues llogaritet në 30 vjeç.

Sipas shifrave, një shqiptar i Kosovës paguhet më shumë se një shqiptar i Shqipërisë. Paga mesatare neto në vendin tonë për vitin 2021 është llogaritur në 406 euro, ndërkohë një shqiptar i Kosovës paguhet mesatarisht në muaj 432 euro. Pra një shqiptar i Kosovës paguhet rreth 26 euro më shumë.

Po si ndryshon madhësia e familjes mes dy vendeve? Në Kosovë familjet janë më të mëdha se në Shqipëri. Shifrat tregojnë së një shqiptar mesatar i Kosovës jeton në një familje të përbërë prej 4.85 personash, ndërkohë që një shqiptar jeton në një familje prej 3.7 anëtarësh.

Po të analizojmë të dhënat mbi posedimin e një automjeti, shifrat tregojnë se në Shqipëri numërohen rreth 237 automjete për 1,000 banorë ose e thënë ndryshe, 1 në 4 persona në vendin tonë zotërojnë një automjet. Nga ana tjetër, të dhënat për Kosovën nuk përbëjnë ndonjë diferencë të madhe. Kosova regjistron rreth 224 automjete për 1,000 banorë.

Por sa gjatë pritet të jetojnë qytetarët e secilit vend? Të dhënat tregojnë se shqiptari i Kosovës pritet të jetojë 76.7 vite, pra 0.7 vite më pak se shqiptarët e Shqipërisë, të cilët e llogarisin këtë tregues në 77.4 vite.

Pra, mund të themi se shqiptari mesatar i Kosovës është më i ri se ai në Shqipëri, martohet më shpejt, paguhet më shumë, nuk ka automjet dhe e ndan shtëpinë me më shumë persona.

Vlen të përmendim se ky është një profil hipotetik i një shqiptari të Kosovës, por edhe të Shqipërisë, bazuar në tregues të cilët i janë referuar statistikave zyrtare.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Bien lejet e ndërtimit me 39% – Tirana, Durrësi, Korça zënë 69% të totalit. Berati me rritjen më të madhe

Postimi mëparshëm

OKB: Shqipëria, e para në botë për turizmin/ Rimëkëmbja nga pandemia, 18% më shumë turistë këtë vit, krahasuar me 2019-tën

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.