FunData

Kur do realizohet paga 900 euro? Më 24 Gusht, nëse euro vijon të zhvlerësohet me të njëjtin ritëm

0

Paga mesatare prej 900 eurosh është një prej premtimeve të fundit të qeverisë shqiptare. Me rënien e ndjeshme të kursit të këmbimit, sidomos të zhvlerësimit të euros kundrejt lekut, ky premtim duket më i afërt se kurrë. “Scan Intel” ka bërë një analizë mbi një projeksion të thjeshtë në rubrikën `FunData` pikërisht për këtë. Pra, sa kohë do duhet që të arrihet ky premtim nëse ritmi i zhvlerësimit të euros do të vijojë të jetë i njëjtë edhe në vazhdim?

Paga mesatare në sektorin shtetëror në fund të vitit të kaluar fiksohej pranë 74,450 lekësh bruto, ose rreth 695 euro. Ndërkohë, gjatë 3 javëve të fundit, mesatarisht, euro është zhvlerësuar çdo ditë me 0.43 lekë. Në mënyrë që 74,450 lekë, pra paga bruto në `shtet` në vendin tonë të vlejë 900 euro, do të duhej që euro të këmbëhej me rreth 83 lekë.

Pra, nëse në vijim, monedha e përbashkët do të vijojë të humbasi vlerë kundrejt lekut me të njëjtin ritëm si gjatë javëve të fundit, në datën 24 gusht të këtij viti, euro do të këmbëhej me 82.41 lekë, çka do të thotë se paga mesatare në shtet do të vlente plot 898.6 euro. Të nesërmen, më 25 Gusht, do ta tejkalonte edhe premtimin, duke u fiksuar në 903 euro.

Kjo përllogaritje është bërë mbi pagën në sektorin shtetëror të tremujorit të fundit të vitit të kaluar. Pra, nuk janë përfshirë rritjet e fundit në administratë, duke qenë se nuk janë ende uniforme për të gjitha kategoritë, dhe nuk ka ende një statistikë publike mbi pagën mesatare në `shtet’ për këtë vit. Nëse do të llogaritej edhe rritja e fundit, atëherë me shumë gjasa, premtimi i 900 eurove do të realizohej shumë më shpejt se 24 gushti.

Siç e shpjeguam edhe më lartë, kjo përllogaritje është bërë mbi supozimin e thjeshtë se ritmi i zhvlerësimit të euros kundrejt lekut do të vijojë të jetë i njëjtë deri më datën 24 Gusht, për të prekur nivelin e 82.4 lekëve. Diçka e tillë do të sillte padiskutim pasoja të mëdha për ekononinë shqiptare dhe atë familjare. Por, nga ana tjetër, kjo temë e `FunData` ka për synim të tregojë faktin se të fituarit e zhvlerësimit të euros, në fakt janë të fituar vetëm në `letra`.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Habit inflacioni, rritet gjatë majit/ Pranë 4.7%, pas 6 muajsh rënie. Zhvlerësimi i euros nuk i bën `nder` konsumatorit

Postimi mëparshëm

Sa humbasin familjet nga rënia e euros? Rreth 4 mijë lekë në muaj humbje kush merr dërgesa nga emigrantët

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.