Turizëm

OKB: Shqipëria, e para në botë për turizmin/ Rimëkëmbja nga pandemia, 18% më shumë turistë këtë vit, krahasuar me 2019-tën

0

Shqipëria është destinacioni turistik me rimëkëmbjen më të lartë në botë të turizmit pas pandemisë, thotë Organizata Botërore e Turizmit, një agjenci e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNWTO). Kështu, vendi ynë, rezulton me një rritje të turistëve me 18% gjatë 9 muajve të parë të këtij viti, krahasuar me 9 muajt e parë të vitit 2019, vitit para pandemisë. Sipas Organizatës Botërore të Turizmit, që ka klasifikuar performuesit më të mirë mes atyre më të rëndësishmëve sa i përket sektorit, pas Shqipërisë vjen Republika Domenikane, me vetëm 7% rritje të numrit të turistëve, krahasuar me vitin 2019.

Nga ana tjetër, nëse shohim listën e performuesve më të mirë në botë, pra mes të gjithve, jo vetëm mes të mëdhenjve, Shqipëria renditet në vend të dytë, pas Us Virgin Islands, dhe klasifikohet mes vetëm 12 shteteve të botës që këtë vit i kanë tejkaluar shifrat e pandemisë, sa i përket numrit të turistëve që kanë vizituar vendin gjatë periudhës janar-shtator. Pas Shqipërisë, në renditje vijon St.Marteen me 16% rritje të turizmit në terma fluksesh. Vijon më tej Etiopia, Hondurasi, Andorra, Puerto Rico, Republica Domenikane, Curaçao, Kolumbia, El Salvador dhe Islanda. Pra, së bashku me Shqipërinë, këto 12 shtete janë të vetmet që këtë vit kanë tejkaluar plotësisht krizën e shkaktuar nga pandemia në këtë sektor, duke kaluar madje edhe nivelet e vitit 2019-të.

Ndërkohë që në Shqipëri, turistët këtë 9-mujor kanë qenë 18% më shumë se viti 2019-të, në të gjithë botën kanë qenë 37% më pak se viti para pandemisë. Në Turqi këtë vit turistët kanë qenë 5% më pak se vitit 2019, në Kroaci 11% më pak, Greqi 12% më pak, dhe Spanjë 16% më pak, sa për të përmendur disa prej destinacioneve më të rëndësishme turistike në botë por edhe vende të frekuentuara nga vetë shqiptarët.

Por, ndërkohë që Shqipëria rezulton si destinacioni i parë në botë mes të mëdhenjve sa i përket rimëkëmbjes nga pandemia, nuk shfaqet aspak në klasifikimin e vendeve me rimëkëmbjen më të lartë të shpenzimeve të turistëve. Madje, Turqia regjistron 36% rritje të shpenzimeve të turistëve këtë vit, krahasuar me vitin 2019-të, ndërkohë që Serbia renditet e para në botë, me 66% rritje.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Shqiptari i Kosovës vs shqiptari i Shqipërisë/ “Kosovari” është më i ri, martohet më shpejt, paguhet më shumë, por jeton më pak

Postimi mëparshëm

Tetori “thyen” turizmin/ 22 mijë më pak të huaj se në vitin 2019-të, por në total për 10 muajt e parë, rekord historik

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.