“Scan Intel” ashtu siç ka bërë më parë, me profilin e një shqiptari mesatar, me “profilin e një familje shqiptare”, një të riu apo me profilin e një emigranti, këtë herë e vijon analizën me profilin e një të punësuari në vendin tonë. Për të arritur një profil sa më të saktë do të bazohemi të shifrat zyrtare të “Institutit të Statistikave” mbi tregun e punës.
Referuar të dhënave të analizuara gjasat janë që një i punësuar në Shqipëri është mashkull, pasi këta të fundit zënë rreth 55% të totalit të të punësuarve për vitin 2021. Sa i përket moshës të dhënat tregojnë se i përket grupmoshës mes 25 deri në 54 vjeç. Shifrat zyrtare tregojnë se kjo grupmoshë e personave të punësuar zë 67% të totalit.
Duke mbetur te tregu i punës, gjasat janë qe ky i punësuar të jetë pa arsim të lartë, punon rreth 41.3 orë në javë dhe paguhet mesatarisht 53,939 lekë, thonë të dhënat e “Institutit të Statistikave” referuar vitit 2021. Sa i përket sektorit ku punon shifrat thonë se ku person është i punësuar ose në “Bujqësi” ose në sektorin e “Shërbimëve” pasi këto dy sektorë zënë gjithsej 78% të totalit.
Të tjera të dhëna bëjnë me dije se ky i punësuar ka më shumë gjasa të punojë në Tiranë, Elbasan ose në Fier. Të punësuarit në këto tre qarqe zënë 52.5% të të punësuarve në total.
Pra, profili hipotetik i një të punësuari në Shqipëri flet për një mashkull, mes 25 dhe 54 vjec, pa arsim të lartë, punon në bujqësi ose në sektorin e shërbimeve, rreth 41.3 orë në javë, është i vendosur në qarkun e Tiranës, Elbasanit dhe Fierit dhe paguhet 53,939 lekë neto në muaj.
Ky është një profil hipotetik i një të punësuari, i cili jeton pranë një mesatare kombëtare të disa prej treguesve të bazuar mbi statistikat zyrtare.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments