Sociale

Shqiptarët u varfëruan që para krizës/ Rreth 623 mijë shqiptarë në rrezik. Përkeqësohen të gjithë treguesit e varfërisë në 2021-shin

0

Më shumë se gjysmë milioni shqiptarë jetojnë nën kufirin për të qenë të varfër tregojnë të dhënat nga “Anketa e të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës” për vitin 2021, e publikuar së fundmi nga “Instituti i Statistikave”. Sipas kësaj ankete janë rritur pothuaj të gjithë treguesit kryesorë të rrezikut për të qenë i varfër dhe përjashtimit social gjatë vitit 2021, kundrejt vitit 2020. Treguesi i rrezikut për të qenë të varfër në Shqipëri është 22% dhe ka pësuar rritje me 0.2 pikë, krahasuar me vitin 2020. Pra, sipas të dhënave zyrtare referuar “Institutit të Statistikave”, mund të themi se Shqiptarët janë varfëruar që para krizës. Nëse do të flasim për shkallën e thelluar të privimit material, e cila tregon përqindjen e individëve që jetojnë në familje të cilët nuk përballojnë të paktën 4 nga 9 kategoritë e privimit material, shifrat tregojnë se për vitin 2021 ky tregues është vlerësuar në 35.2%, duke pësuar rritje me 0.5 pikë përqindje, kundrejt vitit 2020. Kufiri i rrezikut për të qenë i varfër për një person në vitin 2021 është vlerësuar me 191.791 lekë, ose rreth 16 mijë lekë në muaj, në krahasim me 186.242 lekë që ishte në vitin 2020.

Një tjetër tregues i cili ka regjistruar ndryshim jo shumë pozitiv përgjatë vitit 2021 është edhe intensiteti në punësim. Individët e grupmoshës 18-59 vjeç, të cilët jetojnë në familje me intensitet shumë të ulët në punësim në vitin 2021 sipas vlerësimeve përbëjnë 12,4%, kundrejt 11,6% rezultuar në vitin 2020, duke pasqyruar një rritje prej 0,8 pikë përqindje.

“Scan Intel” i ka analizuar të dhënat e “Institutit të Statistikave” sa i përket rrezikut për të qenë të varfër edhe sipas grupmoshave. Nga të dhënat vihet re se për të gjitha grupmoshat, rreziku për të qenë i varfër është në trend rritje. Grupmosha 0 deri në 17 vjeç ka pësuar një rritje të lehtë në vitin 2021, me 0.1 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2020, ndërkohë që për grupmoshën 18-64 vjeç rritja shënohet me 0.2 pikë përqindje.

Rreziku për të qenë i varfër sipas statusit të punësimit, për të punësuarit e moshës 18 vjeç e lart, në vitin 2021 ka shënuar rënie me 0,1 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2020. Rreziku për të qenë i varfër tek individët e papunë ka pësuar një rritje prej 1,1 pikë përqindje, ndërsa tek pensionistët ka pësuar një rritje prej 0,1 pikë përqindje. Ndërkohë, përqindja e individëve në rrezik për të qenë të varfër sipas tipit të familjes, në vitin 2021, në familjet pa fëmijë në varësi, vlerësohet të jetë më e ulët krahasuar me familjet me fëmijë në varësi, përkatësisht 12,8 % dhe 25,9 % e individëve.

Krahasuar me Europën, Shqipëria vijon të mbetet ndër vendet e para edhe për vitin 2021. Përgjatë kësaj periudhe, Shqipëria renditet në vend të katërt si shteti me rrezikun më të lartë për të qenë i varfër. Vlera më e lartë e varfërisë relative shënohet në Letoni me 23,4%, Rumani me 22,6%, Bullgari me 22,1%. Mesatarja e Bashkimit Europian për vitin 2021 është 16.8%.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Si e mbyllën vitin valutat? Euro ka prekur “fundin”. Dollari amerikan “tërhoqi” fitimet në Dhjetor

Postimi mëparshëm

Renditja e shteteve sipas satelitëve në hapësirë/ Rreth 5500 në total, vetëm 75 vende kanë të paktën 1

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.