EkonomiTeknologji

Renditja e shteteve sipas satelitëve në hapësirë/ Rreth 5500 në total, vetëm 75 vende kanë të paktën 1

0

Në fillim të këtij viti, 2 satelitët e parë shqiptarë u lëshuan në hapësirë nga SpaceX nëpërmjet misionit Falcon-9, i cili mbante në total 114 satelitë. Por, sa shtete të botës dhe të rajonit kanë në fakt satelitë në hapësirë? “Scan Intel” ka analizuar dhe përpunuar të dhënat, për t`i dhënë përgjigje kësaj pyetje, por edhe për të kuptuar se si ndahen këta satelitë sipas qëllimit të tyre, në nivel global.

Bazuar në shifrat e bazës së të dhënave mbi satelitët të UCS, të përditësuara deri në gjysmën e parë të vitit të kaluar, rezulton se në total në hapësirë ka rreth 5,465 satelitë, por me shumë gjasa shifra ka kaluar mbi 6,000 të tillë deri në fillim të këtij viti. Në vend të parë në nivel global për numër satelitësh qëndrojnë padiskutim Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me mbi 3400 të tillë në posedim 100% të tyre.

Shumë satelitë ndërkohë janë në bashkëpronësi të dy ose më shumë shteteve, dhe kryesisht këto bashkëpunime janë mes fuqive të mëdha, ose të paktën një prej fuqive të mëdha. Kështu, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe vende si Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Rusia, Kina kanë satelitë në hapësirë edhe me vende të tjera, veç atyre që kanë në posedim të tyre plotësisht. Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndjek në renditje si shteti me më shumë satelitë të vetët në hapësirë, Kina, me mbi 530, Mbretëria e Bashkuar në vendin e tretë, duke numëruar thuajse 500 satelitë, dhe ndiqet nga Rusia, me rreth 170, Japonia me 88, Agjencia Europiane e Hapësirës (ESA) me 62, shumëkombëshet me 60, India me 59, Kanadaja me 56 dhe Gjermania me 45 satelitë.

Me 2 satelitët e lëshuar këtë fillimvit ndërkohë, Shqipëria renditet jo vetëm mes 75 shteteve të cilët janë të pranishëm në hapësirë për qëllime civile, por në të njëjtat nivele me vende si Greqia, Suedia apo Ukraina. Në këtë listë ndërkohë, rajoni nuk figuron aspak. Kroacia parashikon ta bëjë diçka të tillë këtë vit, ndërkohë që vende si Serbia, Bosnje Hercegovina, Maqedonia e Veriut, apo edhe Kosova ende nuk kanë prezencë në hapësirë. Serbia, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnje Hercegovina ndërkohë kanë krijuar një program të përbashkët hapësinor dhe planifikojë që së shpejti të nisin satelitë të përbashkët në hapësirë. Veç bashkëpunimit rajonal, Serbia ka nënshkruar disa marrëveshje, kryesisht me vende si Kina apo India në këtë drejtim.

Në nivel global ndërkohë duket se SpaceX e Elon Musk dominon tregun, duke pasur rreth 36% të satelitëve civil. Sa i përket qëllimit të tyre, të dhënat tregojnë se 63% e satelitëve kanë si qëllim komunikacionin, 22% observimin e tokës dhe territorit, 7.8% zhvillimin teknologjik, 3.6% navigimin, dhe pjesa tjetër eksplorimin e hapësirës dhe teknologjinë. Kjo ndarje i referohet vetëm satelitëve civil, ndërkohë që një pjesë e konsiderueshme e tyre shërbejnë edhe për qëllime ushtarake, çka e bën edhe më komplekse transparencën e të dhënave në këtë drejtim, për shkak të sekretit.

Në total numërohen 566 satelitë me qëllim ushtarak, ose 10.3% e totalit. Këta satelitë i posedojnë vetëm 24 shtete të botës, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës që dominojnë edhe në këtë drejtim.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Shqiptarët u varfëruan që para krizës/ Rreth 623 mijë shqiptarë në rrezik. Përkeqësohen të gjithë treguesit e varfërisë në 2021-shin

Postimi mëparshëm

Tirana me rritjen më të ulët të pagave/ Nën mesataren kombëtare. Elbasani me rritjen më të lartë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.