SocialeTregti

Lulet për Shën Valentin, akoma në modë/ Importi kulmon gjatë muajve shkurt dhe mars

0

Lulet prej vitesh janë një ndër zgjedhjet kryesore të dhuratave për ditën e Shën Valentinit, por edhe për dy festat që pasojnë në muajin Mars, pra në data 7 dhe 8 Mars. Përtej perceptimeve tona, lulet në këto ditë festash nuk mund të hiqen si opsion dhurate, pasi shifrat konfirmojnë një trend rritës sa i përket importit të tyre.

“Scan Intel” ka kryer një analizë të detajuar të shifrave të tregtisë së jashtme për grupin “Pemët dhe bimët, rrënjët, lulet dhe gjethet zbukuruese” për të parë se si ka qenë ecuria e importit dhe cilët muaj kanë kulmuar me vlerën më të lartë. Sipas shifrave zyrtare nga “Instituti i Statistikave”, të reflektuara në grafik, shohim se që nga viti 2005, muajt në të cilët ka kulmuar importi i luleve janë Shkurti dhe Marsi. Ajo që duket ndër të tjera nga të dhënat është importi i luleve ka ardhur në rritje vit pas viti.

Rekordin, lulet e importuara e shënuan në muajin Shkurt të vitit 2022, që nga Janari i vitit 2005 për të cilin INSTAT disponon të dhënat e fundit, duke u rritur me rreth 48% me bazë vjetore. Në këtë muaj vlera e importit arriti në afërsisht 175 milionë lekë.

Nëse do të flsinim vetëm për vitin 2023, në total vlera e importit për grupin “Pemët dhe bimët, rrënjët, lulet dhe gjethet zbukuruese” arriti në rreth 1.1 miliardë lekë. Po të shohim muajt që kanë patur vlerën më të lartë të importit përgjatë vitit 2023, dalim në përfudimin se tre muajt që kryesojnë janë muaji Mars, Shkurt dhe Tetor.  Edhe për vitin 2023 peshën kryesore të importit të luleve e kryeson Holanda, e ndjekur nga Italia, Ekuadori dhe Spanja.

Ndryshe nga lulet natyrale, ato artificiale kanë pasur tendencë rritëse kryesisht përgjatë muajve të verës, referuar shifrave nga “Instituti i Statistikave”.

Theksojmë se sipas të dhënave të INSTAT ky kapitull nuk është i ndarë prandaj shifrat e importit të luleve nuk janë të zhveshura nga bimët e tjera apo rrënjët.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

‘Zbutet’ inflacioni në Janar/ Arrin në 3.4%, ushqimet dhe pijet joalkolike vijojnë me rritjen më të lartë

Postimi mëparshëm

Sa na “vjedh” dashuria nga paga? Kostot për Shën Valentin marrin mesatarisht 40% të rrogës mujore

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.